Edhe Shqipëria futet në ‘orë policore’ prej 20:30-06:00

Prej së enjtes së 24 dhjetorit kufizimi në lëvizje zhvendoset në orën 20:30 të mbrëmjes. Shifrat në rënie të rasteve të reja dhe vlerësimi i situatës nga Ministria si e qëndrueshme, nuk kanë shërbyer për vijimësinë e të njëjtave masa, aq më pak për lehtësimin e tyre.

“Frika nga festat e fundvitit” ka bërë që qeveria të ndërmarrë një tjetër hap pas në drejtim të masave antiCovid. Kështu, për gati 2 javë orët policore nisin pasi akrepat të kenë shënuar 20:30 minuta, raporton panorma.com.al

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha dje se pas kësaj ore nuk do të lejohet jo vetëm lëvizja e qytetarëve, por edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve. “Pra ashtu sikurse e përmendëm, ekspertët vlerësojnë se situata deri sot paraqet qëndrueshmëri. Por duke qenë se kemi hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës kemi marrë disa vendime.

Kemi vendosur: Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar. Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fastfood, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery”, tha Manastirliu.

Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Ministrja sqaroi se personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit “e-albania”. Ndërkohë që duke nisur nga data 5 janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00. E njëjta gjë ndodh edhe me baret dhe restorantet për të cilat kufizimi i aktivitetit rikthehet po ashtu në orën 22:00.

“Por nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese”, paralajmëroi Manastirliu. Në prag të festave të fundvitit ministrja u ka bërë apel qytetarëve të shmangin grumbullimet dhe të festojë brenda familjes së tyre të vogël, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Prej ditës së djeshme testet e shpejta të antigjenit kanë nisur të kryhen në 6 pika, në qendra shëndetësore në Tiranë dhe rezervimi për kryerjen e tyre tashmë do të bëhet nga mjekët e familjes. Pas kësaj faze do të shtrihet gradualisht edhe në të gjithë vendin.