Edhe tri vetura u dogjën mëngjesin e sotëm në Veri

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për djegien e tri veturave të tjera në veri të vendit.

Djegia ka ndodhur në mesnatë, ku në dy raste të ndara janë djegur tri vetura që u përkasin qytetarëve serbë të Kosovës.

Njëri rast ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në afërsi të një çerdhes së fëmijëve. Flakët nga vetura me targa RKS kanë djegur edhe një veturë tjetër që ka qenë e parkuar afër, me targa të Beogradit.

Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar.

“Në të dy rastet, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se këto raste po hetohen me shumë seriozitet dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të ndihmojnë në gjetjen e autorëve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

“Policia e Kosovës, në këto raste ka reaguar me të shpejtë, duke ndërmarrë veprimet e duhura policore dhe duke iniciuar rastet kriminale të cilat është duke i trajtuar (hetuar) me seriozitet dhe me këtë rast fton qytetarët për bashkëpunim në gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.