Edhe udhëtarëve nga Kosova u kërkohet test negativ për të hyrë në Zvicër

Dje, (më 27 janar) Këshilli Federal i Zvicrës ka marrë vendimin e ri, sipas të cilit, nga 8 shkurti, edhe personat që udhëtojnë nga vendet e sigurta (që nuk janë “zona rreziku” ose në listën zvicerane të karantinës), detyrohen të kenë një test negativ kur të nisen për në Zvicër.

Duke filluar nga 8 shkurti, të gjithë ata që hyjnë në Zvicër detyrohen të tregojnë rezultatin negativ të testit. Kjo vlen për ata që vijnë nga vendet jashtë zonës së rrezikut, pra edhe për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë etj. ndërsa ata që vijnë në Zvicër nga vendet në zonë rreziku, duhet të mbyllen edhe karantinë.

Për të bërë verifikimin e lajmit, edhe nga ana e autoriteteve kosovare, albinfo.ch ka pyetur ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Sami Ukellin.

Ai konfirmon atë që në një mënyrë mund të kuptohej nga komunikata e autoriteteve zvicerane.

“Sipas këtij vendimi që nga data 8 shkurt cdo person që hyn në Zvicër nga vendet e rrezikuara, e ato më pak të rrezikuara me avion – me pak përjashtime – duhet te ketë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë. “Nga vendet e rrezikuara vendoset masa e karantinimit. Nga dita e 7-ka mundësi të hiqet karantina nëse bën një test PCR apo të shpejtë.

Kjo nënkupton që edhe udhëtimet nga Kosova për në Zvicër – edhepse Kosova nuk është në listën e vendeve të rrezikuara – mund bëhen vetëm me test PCR negativ. Por karantinë nuk ka”, thotë z. Ukelli.

Problemi tjetër aktual, i cili po ashtu preokupon bashkatdhetarët tanë në Zvicër është ky: A kërkohet, me rastin e hyrjes në Kosovë testi negativ edhe për kosovarët që udhëtojnë nga Zvicra?

“Në fakt testi kërkohet nga të gjithë që hyjnë në Kosovë e sipas vendimit të qeverisë kanë qëndruar jashtë Kosovës për më shumë se 24 orë – pa dallime të shtetësisë, por nga vendi i ardhjes (zonat sipas ECDC)”, sqaron ambasadori Ukelli.

“Dallimi është vetëm që nëse kosovarët nuk e kanë testin duhet të vetizolohen për 7 ditë, kurse shtetasit e huaj nuk i lënë të futen në avion fare.

Të gjitha këto masa që po merren në gjithë Evropën kanë për qëllim të evitojnë udhëtimet e panevojshme e me këtë zvogëluar numrin e të infektuarve me mutacionet e reja që janë më ngjitëse se ato deri tani”, përfundon amabsadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Sami Ukelli.