Edhe VV i thotë jo ‘presidencës’ së Haradinajt

Ramush Haradinaj e ka shpallur tashmë kandidaturën e tij për president të vendit, por deri tani nuk ka marrë përkrahje nga subjektet tjera.

Edhe Albulena Haxhiu (VV) thotë se Qeveria e re dhe Presidenti duhet të votohen nga një legjislaturë e re, e cila duhet të dalë prej zgjedhjeve.

“S’kemi emër për President për faktin se ky Kuvend nuk mund ta zgjedhë një president të ri. Çfarë do tendencë për të zgjedhur Presidentin tani, është tendencë për t’ia zgjatur jetën qeverisë aktuale. Ne kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe Kuvendi i ardhshëm ta zgjedh edhe Qeverinë edhe Presidentin e ardhshëm”, ka thënë Haxhiu.

Propozimin e Ramush Haradinaj që PDK-ja ose VV-ja ta përkrahin kandidaturën e tij për president dhe AAK-ja do t’ua kthente votën në ndonjë rast tjetër, Haxhiu e ka quajtur skandaloze dhe një qasje prej tuxhari.

“Në një vend normal një deklaratë e tillë nga një pretendent për president do të ishte skandaloze. Merreni me mend po kërkon vota “veresi”. Kjo është qasje tuxhari. z.Haradinaj nuk e meriton të jetë President, jo vetëm që i takon AAK-së, por ai ka qenë kryeministër dhe e kemi parë punën e tij. Vetëvendosje nuk e mbështet”, është shprehur ish- ministrja në Qeverinë Kurti.

Sipas saj, Vetëvendosje është që të gjendet një kandidatë për president që është jashtë politike, një figurë që ka integritet.