Edhe Zhutat i duam në Kuvend: Ose, çka kam që s’ia kërsas edhe unë një

Nga: Dafina Demaku

Kjo nuk është kritikë për Shkurte Fejzen dhe Ilir Shaqirin. As për këngët epike ‘Sërish vjen marsi’ dhe ‘Mora fjalë’. Por, ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, sipas fjalëve të Glauk Konjufcës, mund të përshkruhet kështu: “kultivim i sjelljeve të çuditshme’.

Kur Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza ia behën në sallën e Kuvendit të Kosovës, m’u kujtua Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, që çdo formë akti të tillë performance, jashtë Kuvendit, nëpër oborre private apo nëpër sallone ndejash, në të kaluarën e lidhnin me ‘komandantë’, ‘yndyrë’, ‘mish dhe raki’.

Në një intervistë të para pak vitesh, kryeministri Albin Kurti fliste për presidentin Hashim Thaçi dhe – sipas tij – shijen e keqe ose të hidhur muzikore të tij. Duke elaboruar një bisedë të shkurtër me Thaçin diku para vitit 1999, shprehte dyshim e shpërfillje në përmasa raciste, se Thaçi mund të ishte person që dëgjonte – ta zëmë -muzikë rock.

Një deklaratë e Glauk Konjufcës, po ashtu në Kuvend, ku replikonte me dikë nga qeveritarët e kohës, me ironi e arrogancë iu thoshte se ‘e paramendonte që në ndejat e tyre, ka mish, yndyrë e raki’.

Konjufca deklaronte se në ndeja të tilla, ‘njeri bëhet trim edhe pa qenë hiç’.

‘Çohet gjunë Samia, çohet gjunë Endriti, i këqyrë njeri po gjujnë ton’ me rend, thotë: po çka kam që s’ia kërsas edhe unë njo’, deklaronte Konjufca dhe këtë sjellje e definonte si ‘kultivim i sjelljeve të çuditshme’.

Kurti dhe Konjufca, me këso deklarimesh, ia përcaktonin insanit fatin e tij në dimensionin klasor, më thuaj çfarë muzike dëgjon, të të them se kush je: ne të kitareve, ju të çiftelive.

Sot, kur në seancën e Kuvendit po shënohej me solemnitet data e Epopesë së UÇK-së, në ndërtesën ngjitur Kuvendit, në Qeveri, ishte Ndërmjetësi Miroslav Lajçak.

Aty po ‘kultivohej një sjellje e çuditshme’ e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pa muzikë, yndyrë, mish e raki – të paktën deri tani nuk ka informacione për kontekstin kulinarik të takimit, por sjellja e çuditshme është se po ndodhte një takim mes një njeriu që para pak ditësh na tha se nuk flet më kurrkënd për dinarin, e aq më pak me Lajçakun dhe m’u në ndërtesën e Qeverisë po fliste, për dinarin dhe me Lajçakun.

Fatmirësisht, korpusi muzikor folklorik në Kosovë është mjaft i pasur. Fatkeqësisht, një copëz të tij, e dëgjuam sot aty ku s’qe nevoja.

Se mund të bëhet (ndonjë)njeri trim, edhe pa qenë hiç.