Emrat e rrugëve dhe lagjeve në Gjilan po vazhdojnë të përdorën gabimisht

Emrat e rrugëve dhe lagjeve në Gjilan po përdoren gabimisht jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga institucionet, shkruan Mediafokus.info.

Ka raste kur një rrugë emërtohet në shkresa të ndryshme, edhe me emrat e mëhershëm, po ka raste kur përdoren emra që nuk ekzistojnë prej 22 vitesh e këndej.

Nëse qytetarët edhe mund të ‘arsyetohen’ deri diku kur përdorin emërtimet e vjetra, sepse mund edhe të jenë ngulitur në kujtesën e tyre, përdorimi i gabuar i emrave të rrugëve nga institucionet dhe organet tjera shtetërore, nuk arsyetohet kurrsesi.

Për të qenë të saktë nuk duhet shumë mund, pasi që ekzistojnë tabelat nëpër rrugë, lagje e sheshe, madje edhe në fshatra dhe mjafton vetëm të shikohen ato.

Gabime te emërtimet bëhen edhe nga posta, kompanitë publike, mediat, madje edhe nga drejtoritë komunale.

“Lagjja tetë”, “Lagjja e dytë”, “Rosaleta”, “Porodini” dhe disa emërtime të tjera që hasen në përdorim, nuk kanë ekzistuar kurrë zyrtarisht.

Po ashtu është gabim të përdoren edhe sot emërtimet “Gavran”, “Çenar Çeshme”, “Popovica” e të tjera, sepse këto lagje kanë emërtimet zyrtare “Dardania”, “Arbëria”, “Kodra e Dëshmorëve”. /Mediafokus.info/