Emrin ia keni dëgjuar, por pak prej jush dini për trimërinë e Xheladin Kurbalisë
Shumë prej jush keni dëgjuar për Xheladin Kurbalin dhe trimëritë e tij, por pak prej jush e dinë historinë e tij, shkruan Mediafokus.info
Xheladin Kurbaliu (1907-1946) lindi në fshatin Kurbali të Karadakut të Preshevës (foto), në një familje të varfër, por me tradita qëndrese e rrezistence ndaj pushtuesve.
Pas LDB, familja e tij, për shkaqe ekonomike shpërngulet në Preshevë dhe punësohet në minierën e kromit në fshatin Llojan të Kumanovës.
Pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave, më 1941 nga forcat e Boshtit Qendror dhe pas caktimit të zonave okupuese, territori i Preshevës mbeti nën sundimin e Bullgarisë fashiste.
Ai e kundërshtoi haptas pushtetin bullgar dhe u angazhua që të gjitha trojet etnike shqiptare të bashkohen me Shqipërinë, pra edhe Presheva me rrethinë.
Për këtë arsye u detyrua ta lëshojë Preshevën dhe të vazhdojë veprimtarinë në Gjilan, ku ishin kushtet më të mira për aktivitet patriotik, sepse Gjilani ishte në zonën okupuese italiane që i ishte bashkuar shtetit shqiptar.
Me formimin e Aradhes së Parë Partizane Shqiptare të Kosovës ”Zenel Hajdini” në Ramjan të Vitisë, më 27 shtator 1942 u zgjodh komandant i parë i saj.
Në kohën kur po përgatitej Shtabi i Aradhes për të kryer një aksion Minierën e kromit në Llojan, më 21 tetor 1942, së bashku me një pjesë të Aradhes se Vrajës që komandohej nga Zhivojin Nikoliq Berka, ai nuk u pajtua që në krye të Shtabit të vinte një komandant serb, siç u pajtuan anëtarët tjerë.
Kështu filloi konflikti i tij me vijën politike të PKJ-së. Ishte i dëshpëruar për faktin se atij iu kundërvu edhe udhëheqja shqiptare e Aradhes “Zenel Hajdini” në mesin e të cilëve edhe Fadil Hoxha e Kurtesh Agushi.
Pas këtij aksioni tërhiqet dhe vepron në prapavijë. Për një kohe strehohet në Kullë të Kufcës së Poshtme.
Xheladin Kurbaliu, edhe pse me ide komuniste, ai ishte ndër ata komunistë të paktë shqiptarë që me kohë e kuptoi dhe e kundërshtoi politikën hegjemoniste, ekspansioniste e aneksioniste të PKJ-së ndaj trojeve etnike shqiptare, të kamufluar përmes internacionalizmit proletar.
Pas kapitullimit të Bullgarisë fashiste, në shtator 1944, Xheladin Kurbaliu së bashku me prijësit e nacionalizmit shqiptar të kësaj treve organizoi mbrojtjen e kufijve etnikë nga depërtimi i çetnikëve dhe partizanëve serb-maqedonas-malazez.
Pas tërheqjes së forcave bullgare nga Presheva, ai urdhëroi ngritjen e flamurit shqiptar në Xhaminë e Preshevës, duke simbolizuar dhe vërtetuar kështu përkatësinë shqiptare të kësaj treve si dhe duke ua bërë me dije miqve dhe armiqve se regjioni i Preshevës ka qenë dhe gjithnjë do të mbetet trevë shqiptare.
Pas depërtimit të njësiteve serbo-bullgare dhe maqedonase partizane në territorin e Gjilanit, Xheladini e kundërshtoi haptas vendosjen e pushtetit jugosllav.
Me të gjitha forcat, jo vetëm që i kundërshtoi masakrat e gjenocidin që bënë njësitet partizane dhe organet e pushtetit komunist mbi popullin shqiptar, por ai edhe vetë luftoi aktivisht kundër tyre, derisa u vra së bashku me 3 shokë, në tradhti nga bashkëpunëtorët e OZN-s, në shkurt të vitit 1946, në fshatin Muçibabë të Karadakut. /Mediafokus.info