Ende s’ka përfunduar takimi mes Kurtit, Abdixhikut dhe Osmanit

Takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, po vazhdon prej dy orësh në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Në takim po merr pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit ka garuar së bashku me LDK-në si kandidate për presidente.

Para nisjes së takimit, Abdixhiku nuk dha deklaratë për media, ndërsa Kurti u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje për situatën aktuale politike.

“Ju e dini se unë jam optimist, sepse kam vullnet të mirë dhe interes publik që të konstituojmë institucionet, të evitojmë zgjedhjet e reja. Në këtë mënyrë, të fillojmë një qeverisje të mbarë e të mirë, sepse kemi shumë projekte në gjysmë dhe projekte të reja që do të vijnë”, u shpreh Kurti para gazetarëve.