Enver Hoxha në vend të gjuhës imponoi dialektin e tij

ANILA DEDAJ/ “Kulturologjia shqiptare i ngjan një lloj dritareje të hapur përgjysmë, sepse figurat tona, jemi mësuar t’i shohim shumë të pjesshme. Të pjesshme për nga formimi, por edhe për nga pozicionimi në hapësirë dhe në mision”.

Në 95-vjetorin e lindjes së Martin Camajt, gjatë një konferencë të mbajtur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, studiuesja Ledi Shamku hedh dritë mbi kontributin e tij si albanolog. Ajo tregon Camajn si hartuesin e parë të gramatikës së plotë të shqipes, dhe sjell në vëmendje kritikat e tij bërë ndaj vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

“Hoxha në vend të gjuhës imponoi dialektin e vet”, thoshte ndër të tjera Camaj në vitin 1991, gjatë një seminari të mbajtur në Salerno për gjuhën shqipe, duke këmbëngulur që gjuha shqipe duhet parë nga tri koine: toskë, gegë dhe arbëreshë.

Ndërsa pedagogia dhe studiuesja Viola Isufaj u ndal te krijimtaria letrare e poetit.

“Në veprën e Martin Camaj nuk do të gjejmë askund provokim, keqinterpretim, irritim të shpirtit apo sarkazëm. Martin Camaj tregon një vëmendje të veçantë ndaj dashurisë, e ndonëse nuk mund të thuhet se në poezinë e tij ka dedikim të dashurisë për njerëzit, sepse ai nuk shpjegon dhe nuk ndan moral, përsëri njeriu Camaj e rrezaton dashurinë. Ai do t’i ndryshojë zemrat e ashpërsuara, t’i zbusë, nuk mban mëri me shpirtrat e verbër. I fal ata. Duke mos vepruar si ata që e mohuan dhe e mohojnë; e përjashtuan dhe e përjashtojnë; e anatemuan dhe anatemojnë. Ai nuk i përgjigjet të keqes me të keqe. Padrejtësisë me padrejtësi. Përkundrejt tyre përcjell idenë e së mirës, duke dhënë shembullin e tij”, u shpreh ndër të tjera Isufaj.

Studiuesja e letërsisë, Lili Sula, ndali te roli i shkollës në transmetimin e veprave si të Camajt, që janë pjesë e së kaluarës historike e intelektuale.

“Poetët e figura madhore si Martin Camaj jetojnë në kanon, jo nga kritikët, as nga kritizerët, por nga forca e vet e brendshme. Nga këmbëngulja e heshtur dhe e fuqishme, nga interaktiviteti i pandërprerë në plan formativ, edukativ, estetik”, tha ajo.

LEDI SHAMKU: CAMAJ, ALBANOLOG I PLOTË

Studiuesja Ledi Shamku tregon për aktivitetin dhe kontributin linguistik të Martin Camajt, një dimension i tij jo shumë i njohur për publikun e gjerë.

“Edhe për Camajn ra ky sherr e u pamë! Shumica, nuk e dinë se Camaj është një nga albanologët më të mëdhenj, gjuhëtar i përmasave të pashpalosura ende. Një albanolog i plotë dhe hartuesi i parë i gramatikës së plotë të shqipes”, thotë ajo.

Po ashtu, studiuesja e tregon Camajn si ideatorin e “jo dy, por një gabimi, të bërë gjatë Kongresit, e që nuk u korrigjua kurrë”. Shamku thotë se gramatika e Camajt është e vetmja që e shikon shqipen jo nga dy, por tri koiné: gegë, toskë dhe arbëreshë.

Shamku, shton më tej, se Martin Camaj, pavarësisht formimit si albanolog, mbetet një poet, i cili pati aftësinë ta shikojë shqipen me sy prej vizionari poetik, “pra më mirë se sa një gjuhëtar i thjeshtë”

PARASHIKIMI I CAMAJT PËR SHQIPEN

Studiuesja Ledi Shamku tregon se Camaj 3 dekada më parë, parashikoi atë që, sipas tij, do të ishte epiqendra e shqipes së përbashkët. “Jo asaj që ishte vendosur në dekret, por asaj që do të vendoste përdorimi i shoqërisë shqiptare të lirë”, thotë ajo. Kështu, ajo sjell në vëmendje Seminarin e Saleronos kushtuar shtresimeve të shqipes (i pari i këtij lloj), mbajtur në 2 dhjetor të vitit 1991, e të udhëhequr nga Camaj, si dhe fragmente nga kumtesa e tij, pasi siç thotë, për të është me rëndësi që “Camaj të shprehet vetë”.

Gjatë fjalës së tij, plot 29 vite më parë, Camaj shpreh papajtueshmëritë me vendimet e marra në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972. “Ka rreth 20 vjet që në Shqipni po vazhdon procesi i normalizimit të gjuhës, i cili nuk merr parasysh randsinë e dialekteve, të historisë, as të dokumentave si dorëshkrime, tekste letrare etj.

Teoria themelore që drejtoi procesin e ndjekur për zbatimin e normës që në të vërtetë është vu në jetë me dhunë, i përket Stalinit. Hoxha në vend të gjuhës imponoi dialektin e vet. Ose më mirë një prej nëndialekteve tosknishte lindore.

Çdo variant tjetër gjuhësor e letrar u ndalue, veçanërisht ai i veriut. U pengue dhe zhvillimi i toskërishtes tradicionale letrare, në veçanti përbajtsja e saj perëndimore…”, është shprehur Camaj asokohe. Studiuesja, thotë më tej, se Camaj është i vetmi gjuhëtar që u referohet për shqipen tri koineve (dialektit gegë e toskë dhe arbërishtes).

“Për gati një gjysmë shekulli para ardhjes së stalinizmit tre variantet janë zhvilluar lirshëm e në simbiozë harmonike. Edhe gjuhëtarë si Gjergj Peikmezi, Gjergj Fishta, Karl Gurakuqi etj. kanë këshilluar që unisimi i gjuhës shqiptare të arrihej përmes mbërritjes së këtyre varianteve, por kjo gjë duhet me u krye jo në mënyrë të vrazhdë. Dhe me të vërtetë, deri në 1944 shoqëria shqiptare zhvillohej në një simbioze familjare, kulturore e gjuhësore.

Në veçanti në TIRANË kryheshin kontaktet e para gjuhësore. Mes atyne që përdorin dialekte të ndryshme gjuhësore. Aty kryhet afrimi!”, ka thënë Camaj 29 vite më parë në Salerno. Duke iu referuar fjalës së tij, Shamku sqaron se ai gjykonte se qendra evolutive e formimit sociolinguistik do të ishte në truallin e Tiranës kryeqytet./panorama.com.al