Juristi nga Likova që la emër në Gjilan

Enver (Ramadan) Selmani (1944-2022) nga fshati Likovë rrjedh nga një familje arsimdashëse, e cila nga gjiri i vet ka nxjerrë inxhinierë, mjekë, teologë dhe doktorë shkencash.

Për shkak të rrethanave të atëhershme dhe mungesës së arsimit të mesëm në gjuhën shqipe, ai ishte i detyruar t’i vijonte mësimet në Gjilan.

Pasi kreu shkollën e mesme ekonomike në Gjilan, i vazhdoi studimet në fakultetin juridik, në vitin 1964 dhe i mbaroi në vitin 1968.

Ishte juristi i parë i diplomuar në regjionin e komunës së Likovës dhe Kumanovës.

Enver Selmani ishte edhe pjesëmarrës i demostratave të vitit 1968.

Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve, Enver Selmani, si jurist i diplomuar, nuk mundi të punësohej në Kumanovë, andaj qe i detyruar të kërkojë punë diku në Kosovë.

Dhe, fatin e gjeti në Kombinatin e tekstilit “INTEGJ” në Gjilan, ku u punësua si referent për çështje juridike.

Falë vlerave të tij profesionale, në vitin 1972 zgjidhet drejtor i Punëve të Përbashkëta në Kombinatin e tekstilit në Gjilan, funksion ky që e ushtroi me shumë sukses për 8 vjet radhazi.

Në vitin 1980 u zgjodh drejtor i Shërbimit të kontabilitetit shoqëror, i njohur si Banka Popullore e Kosovës, për komunat Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

Këtë funksion Enver Selmani e ushtroi deri në vitin 1989, kur u diferencua ideopolitikisht nga sistemi diskriminues serbosllav i instaluar ateherë në Kosovë, pas ndërrimeve kushtetuese me dhunë.

Po në këtë vit, ai shkarkohet nga pozita e drejtorit nga regjimi serbosllav, për shkak të mospajtimeve të tij me politikën e atëhershme të Sërbisë.

Enver Selmani gjatë veprimtarisë së tij,  gjithnjë ishte i lidhur me vendlindjen dhe gjithmonë ka qenë në mbështetje të bashkëvendasve nga rajoni i Kumanovës.

Falë punës dhe veprës e tij, Enveri edhe sot e kësaj dite kujtohet me pietet të lartë në Gjilan dhe rrethinë.

Më 3 shtator 1990 Enver Selmanin e largojnë nga puna, sikurse mijëra shqiptarë të tjerë dhe nuk i mbetet tjetër pos të kthehet në vendlindje, ku gjashtë vite i kaloi pa punë.

Në vitin 1996 punësohet në Entin për qarkullimin e pagesave në Shkup, ku punoi deri në vitin 2002.

Prej vitit 2002 deri në pensionim punoi në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Kumanovë.

Ndërroi jetë më 2 tetor 2022.

I ndjeri ka qenë axha i dr. Rexhep Selmanit, ish ministrit te Shëndetësisë. /Ilir Selmani/ Mediafokus.info