Epike: “Bomba e parë le të bie mbi trupin tim…”
Sot, 62 vite më parë, në lagjen e Bilinicëve në Vërbicë të Zhegocit u lind një trim që quhet Tefik Zymberi. Ai ishte i biri i Vehbiut dhe Hanifes, më i vogli prej fëmijëve në familjen Zymberi.
Si çdo fëmijë tjetër, edhe Tefiku u edukua nga familja e tij me virtyte të larta njerëzore. Qysh në moshën 6-vjeçare, Tefiku e fillon shkollën fillore në fshatin e tij. Pas përfundimit të fillores me sukses të shkëlqyeshëm, ai vazhdon shkollimin e mesëm në Gjilan dhe pastaj studimet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Gjatë studimeve, Tefiku shoqërohet edhe studentë të shumtë, por natyrisht zgjedh më të mirët, ata të cilët kishin aktivitet ilegal politik.
Gjatë demostratave të vitit ’81 dhe ’82 Tefiku është pjesëmarrës, për çka edhe burgoset. Pas daljes nga burgu, si i burgosur politik, Tefiku vazhdon aktivitetin e tij për çështjen shqiptare si anëtar i LPK-së.
Edhe pse ishte i diplomuar, pushteti i atëhershëm nuk e linte të punojë dhe vetëm në shtator të ’90 për herë të parë Tefiku merr ditarin në dorë.
Ishte punëtor i madh në profesionin e mësimdhënies dhe po ashtu shumë i respektuar nga kolegët dhe njerëz të tjerë.
Tefikun e gjejmë edhe tek shoqata “Nënë Tereza” si një humanitar i madh, pastaj kryeredaktor te gazeta “Vatra”, anëtar i redaksisë te gazeta “Bashkimi” etj.
Por më e rëndësishmja është përfshirja e tij në UÇK, sapo ajo doli në skenë, në Zonën Operative të Karadakut. Tefiku së bashku me bashkëshorten Hanumshahe Abdullahu-Zymberi punuan natë e ditë për zgjerimin e UÇK-së, sepse ata mendonin se sa më i madh që të jetë aktiviteti i ushtarak, liria e Kosovës do të jetë më e shpejtë.
Në këtë rrugëtim lirie, më 15 prill 1999, bien në altarin e lirisë Tefiku dhe Hanumshahja me ushtarë të tjerë.
Dy dëshmorët e lirisë, lanë mbrapa dy fëmijë, Diellën dhe Atdheun që tani po e gëzojnë lirinë së bashku më popullin e Kosovës.
Tefiku do të mbahet mend sa të jetojë kombi shqiptar dhe sa të ekzistojë historia e tij, për shprehjen epike: “Bomba e parë le të hidhet mbi mua dhe copat e trupit tim vendosni në muret e kalasë së Shqipërisë”. /Lulzim Zymberi/

