Epopeja e Jasharajve – shpirti luftarak arbëror

Shefik Surdulli

Atë që kisha mësuar e dëgjuar për legjendat e për eposin e kreshnikëve, e takova në një kullë drenice, pikërisht në Prekaz (1992), në familjen Jashari, gjashtë vjet para flijimit të tyre për lirinë, për diellin dhe tokën tonë.

“Bëme atë që duhet ta bëjmë për nderin tonë…”, e tha me modesti me gojën e vet, Bacë Shabani, i ngazëllyer dhe me krenari që pak ditë më parë, me djemt e tij, mbrojti nderin shqiptar duke i ngrehë hapur pushk’t me pushtuesin serb që i bënë sikur krajlitë e tyre dikur, të ndiejnë dridhjen nën këmbë të tokës arbërore.

Beteja epike e Jasharajve, gjashte pranvera më pas (5, 6 e 7 Mars 1998), dhe betimi për tu flijuar për atdhe, i Anteut të lirisë, kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari, që ishte bërë si fantazmë tmerruese për pushtuesin serb, preku rrënjët dhe majën e historisë së luftës sonë për liri.

Akti heroik – unikat, i vetflijimit te familjes Jashari, ngriti në këmbë dhe ndezi shpirtin luftarak arbëror, duke u bërë kështu kulla e Jasharajve muranë lirie.