Erdhi nga kurbeti, veshkën ta dhurojë

Veprimi i djaloshit Val Deçani, i cili erdhi nga mërgimi për t`i dhuruar njërën veshkë një vajze nga Mitrovica, ka befasuar gjithë Kosovën.

Sot, Vali ka shkuar në spital për t’u takuar me 19-vjeçaren Nazlije Sherifi, e cila është diagnostifikuar me probleme të rënda shëndetësore.

Takimin e ka konfirmuar vëllai i Nazlijes, Iliri, i cili ka transmtuar disa fjalë të djaloshit që është i gatshëm ta dhurojë veshkën.

“Val Deçani: InshAllah jam une ai fatlum që veshka ime të perputhet me procedurat mjekësore…”, ka thënë ai.

Ndërkohë, qytetarët po vazhdojnë të mbledhin paratë e nevojshme për ta dërguar Nazlijen për shërim në Turqi, ku do të bëhet transplanti.

Ndryshe, 19 vjeçarja u diagnostifikua me Glomerulosklerozë Foke Segmentale dhe shërimi kushton 200 mijë euro.

Rastet e dhurimit të një organi kaq jetik nga familjarët, ka pasur edhe më parë, por që një i panjohur ta bëjë këtë, kjo është vërtetë gjest i jashtëzakonshëm.

Njihet rasti i gjilanasit Ismet Abdyli, i cili ia kishte dhuruar veshkën e tij një mërgimtari në Zvicër, qysh para luftës në Kosovë.

Ata nuk ishin njohur mes vete asnjëherë, por Ismeti, me të lexuar lajmin në gazetë, nuk kishte hezituar fare dhe ishte lajmëruar për të dhuruar veshkën e tij, që fati kishte dashur dhe gjithçka nga ana mjekësore ishte përputhur dhe operacioni ishte kryer me sukses./Mediafokus.info