Haziri: Kemi numër më të madh të të shëruarve dhe ulje të infeksionit në Gjilan

Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, ka mbajtur takimin e radhës për vlerësimin e situatës në dy ditët e fundit.

Në takim, kryetari Haziri bëri të ditur se numri i rasteve aktive në këtë komunë është 199, duke shtuar se ka numër më të madh të të shëruarve dhe ulje të infeksionit në Gjilan.

“Pavarësisht kësaj, duhet të vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm në luftë kundër COVID-19. Vetëm duke i respektuar masat, bartjen e maskave, mbajtjen e distancës mes nesh dhe pastrimin e duarve, mund ta parandalojmë përhapjen e infeksionit”, ka thënë Haziri.

Gjendja e përgjithshme në Gjilan është si vijon: nga 7570 mostra, 3000 persona kanë rezultuar pozitivë në total, 2710 persona janë shëruar, 199 raste janë aktive, 91 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 47 janë në hospitalizim dhe 43 mostra janë në pritje për rezultat.