Falja e 100 eurove të tatimit në pronë, zvarritet miratimi i projektligjit
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, që do të mundësonte që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023, po zvarritet. Ky projektligj është duke u bartur nga seanca në seancë, që nga 4 maji. Në rend dite ka qenë edhe për ditën e sotme, por që seanca u ndërpre në mungesë kourumi.
Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij Ligji, secilit tatimpagues parashihet t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.
Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.
“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Afati për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë ka përfunduar me 30 prill. Për këstin e dytë, ka afat deri në fund të muajit shtator.

