Prindi kërcënon vajzën rebele: ‘Të mbys me këto duar’

‘Të mbys me këto duar’

Ajo jeton në Britaninë e Madhe, ku koha ka ecur veç përpara për të. Por, për prindërit ajo është një fëmijë problematik që po ua nxin faqen përpara të afërmve dhe përpara të njohurve. Ndaj dhe i ati, në një çast nervozizmi, kur ka parë se vajza dukej dhe zhdukej për ditë të tëra, ka ngritur dorë dhe e ka qëlluar. Kjo histori denoncohet në polici, e cila është detyruar të marrë në pyetje gjithë familjen.

“Jetoj në South Hampton, Angli. Erdha në Tiranë që të qëndroj pak më tepër me familjen”, e nis kallëzimin L. V, një 25-vjeçare, e cila u zhvendos në Britaninë e Madhe së bashku me të ëmën kur ishte në moshë fare të vogël.

“Babai jeton me të ëmën dhe vëllezërit, jetojnë në një shtëpi të madhe dhe unë erdha që të njiheshim. Në fillim kishim keqkuptime të vogla, të cilat i kapërceva”, shton më tej e reja.

Por konfliktet verbale mes L. V dhe të atit, një burrë i moshës 51 vjeç u ashpërsuan në njërën nga ditët kur ajo e njoftoi se do shkonte tek një shok.

“Atë natë nuk u ktheva në shtëpi, dhe herët në mëngjes më telefonoi babai. Kërkoi të shkoja urgjent në shtëpi. I thashë që do pija kafe pastaj do shkoja”, pohon në denoncim 25-vjeçarja.

Sipas saj gjatë javëve të qëndrimit me të atin mosmarrëveshjet kishin të bënin kryesisht me veshjen e saj dhe qëndrimin e hapur që mbante në raport me kushërinjtë, me të cilët sipas të atit ajo duhet ta zgjidhte fjalorin dhe të sillej si një vajzë me tradita.

“Për të lëvizur në Tiranë kisha marrë një makinë me qira dhe ngatërrova rrugën, urdhrit të babait nuk ju binda plotësisht, u vonova disi. “Sapo hyra në shtëpi më pyeti pse u vonove? Nuk më la të flisja. Më kapi dhe më tërhoqi zvarrë nëpër shtëpi, më goditi tek koka, në krahë, në bark dhe më thoshte – unë të mbys me këto duar. E gjitha kjo ndodhi brenda 30 minutash”.

Policia ka marrë në pyetje të atin dhe xhaxhain dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes. Secili prej tyre ka kundërshtuar dhunën e denoncuar nga e reja, sipas të cilëve ajo kishte ardhur për t`u çmallur me të afërmit por nuk u kushtonte rëndësi atyre. Xhaxhai thotë në polici: “Dëgjova që po grindeshin për makinën, pasi vëllai po e pyeste ku e gjeti makinën me qira dhe përse nuk po e kthente”.

Anëtarët e familjes kundërshtojnë dhunën e ushtruar ndaj 25-vjecares rebele, ndonëse nuk mundën të shpjegojnë dot shenjat në krahët e saj dhe në fytyrë. Policia thotë për gazetën Si se pas disponimit të secilës nga dëshmitë, pasi i ati ka mohuar dhunën, ka marrë dëshmi edhe në kompaninë që jep makina me qira. I riu që kishte pirë kafe me vajzën përpara se ajo të kthehej në banesë shpjegon se nuk e mbante mend nëse 25-vjeçarja kishte apo jo shenja në fytyrë, mbasi ishte i interesuar për të marrë automjetin që kompania i kishte dhënë me qira. “Ajo po e vononte dorëzimin e makinës, duke qenë se në kontratë ishte caktuar afati i dorëzimit. I shkrova që do njoftoj policinë në rast se nuk e dorëzon automjetin brenda kohës dhe më pas kafja u pi për këtë shkak. Por nuk i kushtova rëndësi nëse kishte apo jo shenja, nuk me interesonte”.

Pavarësisht se secili këmbëngul se vajza nuk është rrahur nga i ati, policia deklaron për gazetën Si se letrat po përpilohen për dhunë në familje dhe për këtë arsye i ati do përcillet si i dyshuar në prokurori. “Dyshojmë që familja nuk u përshtat dot me mënyrën e të jetuarit të saj dhe po ashtu dyshojmë se ajo u dhunua pasi nuk merrte leje kur dilte nga banesa”, shpjegoi zyrtari i policisë për gazetën Si.