Familja Daku nga Laçiqi – një trung, shumë degë, një histori e përbashkët

Nga Laçiqi i Kamenicës, nëpër trojet shqiptare dhe deri në diasporë – historia e një familjeje që ruan rrënjët dhe kujtesën e prejardhjes së saj.

Familja e gjerë Daku nga fshati Laçiq, komuna e Kamenicës, ndër vite është shtrirë në shumë vendbanime të Kosovës, në trojet shqiptare dhe më gjerë, duke krijuar degë të shumta familjare, por duke ruajtur një prejardhje të përbashkët.

Sipas rrëfimit dhe hulumtimeve të veprimtarit dhe juristit Shefki Daku, fshati Laçiq është themeluar para rreth 300 vjetësh nga Ali Daku, së bashku me pesë djemtë e tij.

Prej tyre u formuan pesë degë të mëdha familjare, të cilat me kalimin e kohës krijuan lagjet përkatëse të fshatit:

Nga Rama u formua lagjja e Ramovitëve;
Nga Uka, lagjja e Ukovitëve;
Nga Syla, lagjja e Sylovitëve;
Nga Hyseni, lagjja e Cenakëve;
Nga Fazliu, lagjja e Fazliovitëve.

Këto degë përfaqësojnë pjesë të historisë dhe të trungut të përbashkët familjar të Dakëve në Laçiq.

Shpërnguljet dhe shtrirja e familjes
Gjatë historisë, për arsye të ndryshme politike, ekonomike, fetare dhe shoqërore, shumë familje u detyruan të largoheshin nga vendlindja dhe të vendoseshin në vende të ndryshme.

Kështu, nga trungu familjar i Dakëve të Laçiqit, sot familje jetojnë dhe veprojnë në Laçiq, Shipashnicë të Poshtme, Poliçkë, Kamenicë, Petroc, Dobërçan, Përlepnicë, Gjilan, Malishevë, Velekincë, Prishtinë, Vushtrri, Kumanovë, Shkup, Shqipëri, Turqi, Amerikë dhe në vende të ndryshme të Evropës.

Me kalimin e brezave, nga trungu i kësaj familjeje janë krijuar edhe mbiemra të tjerë, si: Murati, Rahmani, Asllani, Bajrami, Sadriu etj.

Megjithatë, sipas Shefki Dakut, këto familje kanë prejardhje nga trungu i përbashkët i Dakëve të Laçiqit.

Daku apo Daki – një ndryshim që kërkon përmirësim

Një çështje tjetër që ngre profesori Shefki Daku është edhe ndryshimi i mbiemrit nga Daku në Daki.

Për shkak të administrimit shtetëror serb në periudha të caktuara historike, mbiemri Daku në dokumentacionin zyrtar është regjistruar kryesisht në formën Daki.

Për këtë arsye, Shefkiu u bën thirrje bashkëvendësve që, nëse dëshirojnë dhe nëse dokumentacioni ua mundëson, ta korrigjojnë këtë pasaktësi përmes procedurave përkatëse administrative në shërbimet e gjendjes civile.

Ndërkaq, për familjet që sot mbajnë mbiemra të tjerë, por që sipas prejardhjes familjare i takojnë trungut të Dakëve, ai ka një lutje të veçantë vëllazërore: të shqyrtojnë mundësinë e rikthimit në mbiemrin e hershëm familjar – Daku.

Kjo kërkesë nuk është vetëm çështje mbiemri, por lidhet me ruajtjen e kujtesës historike, identitetit familjar dhe njohjes së prejardhjes së përbashkët.

Një trung, një gjak dhe një kujtesë që duhet ruajtur

Jeta në vende, shtete e kontinente të ndryshme, largësia ndërmjet familjeve dhe kalimi i brezave mund t’i zbehin lidhjet mes njerëzve që kanë të njëjtat rrënjë.

Prandaj, njohja e historisë familjare, ruajtja e traditës dhe përcjellja e saj te brezat e rinj janë me rëndësi të veçantë.

Thirrja e Shefki Dakut është, në thelb, një thirrje për bashkim, kujtesë dhe vetëdije për prejardhjen.

Është një ftesë që familjet e shpërndara gjithandej të mos e harrojnë vendin prej nga kanë dalë dhe lidhjet që i bashkojnë.

“Mbiemrat mund të ndryshojnë, vendbanimet mund të ndërrohen dhe brezat mund të shpërndahen nëpër botë, por historia e prejardhjes mbetet pjesë e identitetit tonë” – thotë Daku.

Laçiqi mbetet vendi i rrënjëve, ndërsa familja Daku, me të gjitha degët e saj, përbën një histori që meriton të ruhet, të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave që vijnë./Mediafokus