Familja fajëson një sfidë në TikTok për vdekjen e fëmijës 9 vjeç

Familja e një djali 9-vjeçar nga Tennessee në ShBA, i cili javën e kaluar u gjet pa shenja jete në dhomën e vet, po fajëson një lloj sfide të famshme në aplikacionin TikTok për vdekjen e tij.

“Ta shohësh fëmijën të shtrirë në atë arkivol…s’e pati mundësinë as të rritej. E keni parasysh, jeta e tij ka përfunduar për shkak të disa njerëzve që vendosin gjëra të çmendura në faqe të ndryshme”, tha Barbara Williams, familjare e fëmijës së ndjerë.

Familja e djalit e dërgoi atë me urgjencë në spital javën e kaluar, pasi e gjeti pa vetëdije me rrip rreth qafës. Ai u shpall i vdekur më 10 qershor, shkruan Fox News, transmeton Gazeta Express.

Familjarja e djalit që vdiq u bëri thirrje prindërve që të jenë të vëmendshëm për atë se çfarë shikojnë fëmijët e tyre në internet. “E di se nuk mund t’i përcillni 24 orë, por me atë që mund të bëni, ju thjesht duhet të shpëtoni një jetë”, tha ajo.

Një zëdhënës i aplikacionit TikTik tha se sifdat e rrezikshme si “Benadryl” janë bllokuar nga faqja.

Ndryshe, një vajzë 10 vjeçe vdiq disa muaj më parë në Itali nën rrethana të ngjashme, pasi dyshohet se provoi një sfidë që ishte bërë e famshme në rrjete sociale.