Familja Hasani – një histori e anatemuar / një shembull i rrallë i qëndresës, mençurisë dhe përkushtimit ndaj kombit
Sabedin Sherifi
Familja Hasani, me origjinë nga Bresalci i Gjilanit, gjatë periudhës së Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene u përball me përndjekje, bastisje dhe kërcënime. Për të shpëtuar nga dhuna, në fillim të vitit 1924, ata u detyruan të lënë trojet e tyre dhe të marrin rrugën drejt Shqipërisë, duke kaluar nëpër Dibrën e Madhe deri në Lushnjë.
Në Shqipëri, Mbreti Zog u ofroi strehë shumë familjeve kosovare që kishin lënë gjithçka pas. Familja Hasani u vendos në fshatin Thanë të Lushnjës, që sot njihet me emrin Kosovë e Vogël. Atje, Salih Hasani, një burrë i urtë e me autoritet, u zgjodh kryeplaku i fshatit, ndërsa bashkëshortja e tij Zadë, e lindur në Vërbicë të Zhegocit, kujdesej për familjen dhe fëmijët.
Ajo ishte motra e Sefë Sherifit, figurë e njohur atdhetare nga Vërbicë e Zhegocit . Salihu e udhëhoqi fshatin me ndershmëri dhe mençuri deri në vdekjen e tij. Në Shqipëri, familja Hasani fitoi arsim, dije dhe vetëdije kombëtare — trashëgimi që do t’i shërbente brezave që erdhën më pas. Rifat Hasani – ushtarak, mekanik dhe patriot i përkushtuar Rifati, biri i Salihut dhe Zades, 1914 -1992 . Ishte fëmijë në moshë shkollore kur emigroi në Shqipëri.
Në Shqipërinë e Mbretit Zog, ai u shkollua dhe mori pjesë në arsimin ushtarak, ku rinia përgatitej për t’i shërbyer atdheut. Në këto shkolla, të rinjtë aftësoheshin edhe në mekanikë dhe elektricitet, nën trajnimin e Instruktoren austriakë, gjermanë dhe italianë.
Rifati u dallua për aftësi teknike dhe disiplinë, duke u kualifikuar më tej për dy vjet në Portin e Durrësit si mekanik. Në ushtri, ai u ngrit me gradën Toger. Por pas vdekjes së babait, u lirua nga ushtria për t’u kujdesur për familjen dhe u zgjodh kryeplak i fshatit Thanë, me dekret të pushtetit vendor.
Në atë periudhë, Rifati njihej si njeri me autoritet, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj ligjit dhe njerëzve të vet. Në vitin 1943, ai realizoi ëndrrën e tij më të madhe — u kthye në Kosovë. Pas kthimit, u përfshi menjëherë në lëvizjet patriotike shqiptare, përkrah Hysen Terpezës, Mulla Idrizit, Adem Selimit (Gllavica) e shumë të tjerëve.
Mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e kufirit lindor kundër forcave çetnike, që bënin masakra në Luginën e Preshevës, si dhe në betejat e Kitkës, Velegllavës, Preshevës e Bujanocit, bashkë me dajën e tij Sefë Sherifin nga Vërbica e Zhegocit.
Rifati ishte pjesëmarrës në luftën e Ferizajt, ku përkrah Adem Gllavicës dhe Hysen Terpezës u arrit përkohësisht çlirimi i qytetit. Ai mori pjesë edhe në lirimin e prefektit të Mitrovicës, Ibrahim Lutfiu, i cili ishte zënë rob nga forcat komuniste.
Pas pushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, Rifati u detyrua të jetojë në ilegalitet, i strehuar në bunkerin që ia kishte ndërtuar dajë Sefë Sherifi në Vërbicë. Ai mbante lidhje të ngushta me Partinë Nacional Demokratike Shqiptare (PNDSH) të Gjon Sereqit, duke refuzuar çdo bashkëpunim me regjimin.
Në shtëpinë e tij në Gjilan, që u kthye në një qendër patriotike, kultivohej dashuria për kombin dhe flitej hapur për lirinë e Kosovës. Rifati shpesh udhëtonte në Turqi ku takonte shokët e luftës dhe nga atje sillte shtypin ilegal të kohës të cilin e shpërndante në fshehtësi tek rina nacionaliste shqiptare.
Rifat Hasani vdes më 1992 duke mos pasur pranë vetes djemt e tij të cilit ishin në migrim. Ai kishte lënë amanet që trupi i tij të mbulohet me flamur kombëtar për tu përcjellë deri tek varri .Rifati kishte vëlla Zeqirin të cilin e kishte krah të djathtë sidomos në anën ekonomike për të cilin gjë kishte shumë nevojë.
Pasardhësit – breza që vazhduan rrugën e të parëve
Salih Hasani – arsimtar, sportist dhe luftëtar i lirisë Salihu, djali i madh i Rifatit, ishte një intelektual i formuar me kulturë të gjerë. Ai punoi si pedagog dhe trajner sportiv, i njohur për kontributin në arsim, kulturë dhe edukimin e rinisë.
Në periudhën e represionit serb, shtëpia e tij në Gjilan u bë strehë për shtypin ilegal patriotik, që shpërndahej nga organizatat atdhetare. Për shkak të përndjekjeve nga UDB-ja, e udhëhequr nga Selim Brosha dhe Daut Morina, Salihu u detyrua të largohej në Gjermani më 1984, ku gjeti strehim politik.
Në Gjermani ishte në kontakt të vazhdueshëm me migracioni dhe ishte aktiv në çdo protestë që zhvillohej kudo në Evropë jo vetëm si pjesëmarrës por organizator kryesor.
Por Salihu nuk ishte i kënaqur me kaq me fillimin e luftës ai u angazhua në trajnimin dhe përgatitjen e shumë për luftën në Kosovë. Si profesionist i arteve marciale ai përgatiti njësi elite për luftë ku me shumë luftëtar hynë në frontin e Pashtrikut. Aty Salihu trajnoi ushtarë të shumtë që vinin nga gjithë diaspora e veçanërisht trajnoi njësitë speciale.
Pas angazhimit të pa ndërprerë ai pësoi arrest kardiak ku me urgjencë dërgohet në Gjermani dhe fal intervenimit të mjekëve arriti të mbijetojë. Pas çlirimit të Kosovës ai u kthye në Kosovë në Shtëpinë ku kishte lindur dikur por ajo ishte në prag të rrënimit. Në pa mundësi për të filluar një jetë të re në Kosovën e lirë ai mori prap rrugën e migrimit ku jeton edhe sot.
Sylë Hasani – veprimtar i çështjes kombëtare në mërgatë
Syla, djali i dytë i Rifatit, u detyrua të emigrojë në Gjermani në vitin 1970, në kushte të vështira ekonomike dhe politike. Atje, ai u bë një ndër zërat më të fuqishëm të diasporës shqiptare. Mori pjesë në demonstrata dhe protesta në shumë qytete evropiane për liritë kombëtare dhe çlirimin e Kosovës.
Syla shkroi dhe botoi në shtypin gjermanofolës, duke pasqyruar realitetin e hidhur të shqiptarëve nën pushtim. Ai fitoi respekt të madh në shoqërinë gjermane, duke ndihmuar në hapjen e dyerve të kancelarive të Evropës për çështjen e Kosovës dhe duke përfaqësuar me dinjitet mërgatën shqiptare.
Familja Hasani mbetet një shembull i rrallë i qëndresës, mençurisë dhe përkushtimit ndaj kombit. Nga gjyshi Salihu e deri te brezat e sotëm, kjo familje ruajti nderin, dijen dhe atdhedashurinë, duke e bërë emrin Hasani një pjesë të çmuar të historisë së Gjilanit dhe Kosovës mbarë.