Ishte dhënë urdhër që të vriteshin 50 për qind e shqiptarëve në Gjilan

Gjilani, qytet ky i pjesës lindore të Kosovës, gjatë historisë është djegur tri herë dhe po kaq herë është rilindur nga hiri i vetë. Njëra nga masakrat më të mëdha, pas Tivarit, është kryer këtu, shkruan Mediafokus.info

Kronistë dhe historianë flasin për mbi 8 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar në qarkun e Gjilanit, në vitin 1944/45, aq sa rrugët e qytetit ishin mbushur me kufoma.

Sipas historianit Aliriza Selmani, Gjilani ka përjetuar një masakër të panjohur ndonjëherë në këto anë, ndonëse shifrat që përdoren mund të mos jenë plotësisht të sakta.

Numri i viktimave i referohet qarkut të Gjilanit, që asokohe ishte mjaft i gjerë, thotë Selmani.

Nuk ka fshat as lagje në Karadak ku nuk janë kryer masakra gjatë vitit 1944. Sipas historianëve, dhuna e terrori mbi popullin shqiptar, nga formacionet partizane-çetnike, ishte e tmerrshme, vijon Mediafokus.info

Shqiptarët vriteshin e masakroheshin natën dhe të shumtën e rasteve kjo bëhej nën tingujt e daulleve dhe instrumenteve të tjera, për të mos u dëgjuar britmat.

Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, pos me plumb e thikë, shqiptarët priteshin edhe me sharrë, përvëloheshin me ujë, vriteshin me gur në kokë, goditeshin me kazmë, me bajonetë, me hekur të skuqur, me prerje të gjymtyrëve dhe forma të tjera sadiste.

Melihate Deda, në një letër dërguar Komitetit Krahinor, në dhjetor të vitit 1944, ndër të tjera shkruante se komandantët e njësiteve të UNÇJ-së, që operonin në këto troje, deklaronin publikisht se kishin urdhër të vrisnin së paku 50 për qind të shqiptarëve.

Për krime të papara ndaj popullit shqiptar të këtij regjioni, dallohet sidomos Brigada XVII maqedonase, e cila gjatë periudhës nëntor – dhjetor 1944 operonte në Karadak.

Në lidhje me këtë ngjarje, historiani Fehmi Rexhepi ka shkruar se, në bazë të disa të dhënave në terren, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, në territorin e Anamoravës u vranë dhe u masakruan afër 8 mijë shqiptarë, për ç‘gjë kjo anë mbanë rekord të zi në krahasim me pjesët e tjera të Kosovës.

Kjo plojë dhe këto masakra vërtetohen edhe nga Halil Fejzullahu, asokohe komisar i Komandës së vendit. Fejzullahu ndër të tjera, kishte thënë se: “te xhamia kryesore kam takuar një grup prej më se 100 shqiptarësh dhe 120 ushtarësh maqedonas. Kur vërejta se çdo ushtar rrihte me kondak të pushkës nga një shqiptar, urdhërova ushtarët t‘i gjuajnë armët. Pasi kuptova se po i dërgonin në pushkatim, të gjithë i dërgova në Komandë dhe pas hetimeve që bëra, konstatova se vetëm 5-6 prej tyre kishin qenë të komprometuar. Asnjëri prej tyre nuk kishte qenë bashkëpunëtor i okupatorit, e as që kishin kryer ndonjë krim’.

Është e qartë se pushtetet e kohës u munduan të zhbëjnë identitetin shqiptar të këtij qyteti, që njihet si “kërthizë” e Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kumanovës, duke rrënuar edhe monumentet dhe simbolet kulturo-historike, por nuk ia dolën asnjëherë ta bëjnë këtë.

Thuhet se edhe në vitin 1999, loja e fundit ishte planifikuar të luhej në Gjilan, por kësaj here serbëve u dështoi “nata e thikave të gjata”, sepse nuk kishin pritur që Millosheviqi do të kapitullonte në qershor. /Mediafokus.info