Familjes Veseli iu pushkatuan dy djemtë e saj

Para 75 viteve, familja Veseli në Gjilan pati një histori të dhimbshme. Gjilani me rrethinë, në vitet 1944/1945 përjetoi masakrën më të madhe në trojet shqiptare, e cila as sot pas 75 vitesh nuk është ndriçuar sa duhet dhe as nuk janë ndëshkuar kryesit e saj. Këtë fat tragjik e pati edhe familja Veseli, pikërisht më 7 janari të vitit 1945.

Më 7 janar 1945 u pushkatuan vëllezërit Dervish Veseli, 30-vjeç dhe Islam Veseli 36-vjeç nga Gjilani. Ata u pushkatuan ose u masakruan në burgun e Gjilanit nga “partizanët”, të cilët vetëm i kishin ndërruar kapelat çetnike dhe i kishin vënë yllin pesëcepësh, se po ata ishin.

Fatmir Selimi, mjek në Spitalin e Gjilanit, i bënë një shfletim kësaj ngjarje dhe thotë se vëllezërit Veseli ishin angazhuar në regjistrimin e vullnetarëve shqiptarë për frontin e lindjes – luftën e Kitkës, për të penguar depërtimin e forcave serbe në Kosovë.

Dervishi dhe Islami ishin në listë për tu pushkatuar. Këta u burgosën 2 herë. Herën e parë më 16.11.1944 dhe u liruan më 9.12.1944.

Më 23.12.1944 Gjilani u sulmua nga vullnetarët shqiptarë, që pastaj u tërhoqën. Pas kësaj, filloi pushkatimi dhe masakra ndaj shqiptarëve në Gjilan e rrethinë.

Atë që nuk arritën ta bënin gjatë luftës serbët, e bënë tani duke masakruar dhe pushkatuar pa gjyq çdo shqiptarë të moshës madhore. Disa pushkatoheshin në oborret e tyre, disa para dyerve të shtëpive dhe para familjeve. Disa i merrnin me vete dhe i pushkatonin rrugës, kurse të tjerët i dërgonin në burg dhe i mbytnin mizorisht.

Dervishi dhe Islami, fillimisht fshihen në tavanin e fqinjëve. Për fat të keq, më 30.12.1944 herët në mëngjes një grup “partizanësh” futen në oborr, ku i gjejnë vëllezërit Dervish dhe Islam Veselin dhe nën përcjelljen e tytave të pushkëve i dërgojnë në burgun e Gjilanit.

Në burg i mbajnë 8 ditë dhe më 7 janar 1945 i pushkatojnë ose i masakrojnë. Nuk ka të dhëna se ku janë varrosur.

Ata lanë pas vete gratë me fëmijë bonjakë, të cilat u sakrifikuan për t`i rritur fëmijët e tyre dhe duke dhënë shembullin e nënës shqiptare.

Pushteti i ka kërcënuar edhe fëmijët e tyre sikur, Ekrem (Dervish) Veselin dhe motrën Nehalen. Nëna Fatimja detyrohet t`i marrë fëmijët dhe të shkojë te familja e saj në fshatin Kravaricë të Gjilanit, ku qëndron deri në vitin 1949, kur kthehen në Gjilan, me dëshirë që t`i dërgojë fëmijët në shkollë.

Djali i Dervishit, Ekrem Veseli-Kola arriti të shkollohet, të bëhet profesor dhe drejtor shkolle, duke e përmbushur amanetin e nënës Fatime.

Përndryshe, në Gjilan e rrethinë, pas pushkatimit të burrave dhe te rinjve, kishin mbetur shumë gra të veja, me fëmijë bonjakë, të cilët u rritën vetëm falë sakrificave të nënave shqiptare, të cilat edhe pse të reja në moshë, nuk pranuan asnjëra që të martohen asnjëherë.

Këto nëna shqiptare meritojnë një pllakë përkujtimore si “nëna të sakrificës…..”, thotë Selimi./MediaFokus/