Farkëtarët-kovaçët e Gjilanit, mjeshtërit që u “jepnin ujë” veglave metalike të punës
Farkëtar – i thuhej edhe zeje e demirxhijve që merrej me përpunimin e hekurit dhe prodhimin e veglave të ndryshme sidomos ato bujqësore dhe blegtorale.
Është zeje metalpunuese-prodhuese dhe shërbyese, e cila në Kosovë ka ekzistuar që nga koha iliro-dardane, kur punoheshin armët e kohës dhe mjete tjera të ndryshme, si: shpata, heshta, mburoja, maja shigjetash, thika, pajisje për kuaj, si patkonj, frerë, vegla shtëpiake etj.
Farkëtaria ishte zeje metalpunuese, me të cilën, në Gjilan e rrethinë merreshin kryesisht romët, një pjesë e të cilëve ka ushtruar edhe mjeshtërinë e muzikantëve popullorë, por edhe si hamaj.
Ata përpunonin kryesisht hekurin e vjetër, duke e shkrirë nëpër furrat e tyre dhe prej tij bënin vegla të ndryshme bujqësore, sëpata, kazma, shata, çekiçë, burgi, turjela, sanxhakë, zinxhirë, hallka e unaza të ndryshme, lopata, patkonj për kuaj etj.
Mjeshtri e farkëtarëve ishte edhe dhënia e ujit të disa veglave të mprehta si sëpatave, tezlicave e sendeve të tjera.
Gjithashtu, bënin punë shërbyese, kalitjet-mprehjet e sëpatave, plugjeve, pjesë të hekurta të qerreve etj., kështu që mund të thuhet se tradita e punimit të hekurit nga farkëtarët ishte pothuajse si ajo e mesjetës, kurse punishtet-dyqanet e tyre ishin të thjeshta.
Që me kohë numri i dyqaneve të farkëtarëve në Gjilan e rrethinë ishte mjaft i madh, numri i të cilëve është shtuar më ardhjen dhe vendosjen e romëve të Masurices në Gjilan e rrethinë pas vitit 1878, por është edhe dëshmi e begative natyrore dhe zhvillimit të bujqësisë në këtë regjion të Kosovës.
Në literaturën e viteve të para të shekullit XX, shënohen 14 dyqane të farkëtarëve romë në Gjilan, kurse të dhënat dokumentare të gjysmës së parë të shekullit XX, shënojnë rritje të numrit të dyqaneve të kësaj zejeje, si në qytet edhe në rrethinë.
Në një listë të Esnafit të Gjilanit për vitin 1921 hasëm të shënuar emrat e 11 farkëtarëve, kurse për periudhën midis dy luftërave botërore shënohen 21 dyqane të kësaj zejeje.
Ndërkaq periudha e pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1945-1962, shënohen 34 dyqane farkëtare të Rrethit të Gjilanit me leje pune, që dëshmon se kjo zeje kishte përparuar dhe se Rrethi i Gjilanit kishte numrin më të madh të farkëtarëve në Kosovë.
Pjesa më e madhe e dyqaneve zejtare të farkëtarëve ishin të përqëndruara rrugëve kryesore të qytetit, por kishte farkëtarë edhe në rrugët dytësore dhe në disa fshatra më të mëdha të rrethit.
Siç mësuam nga të dhënat memoriale, numri më i madh i farkëtarëve ishin të koncentruar në dy radhë, në hapësirën bri varrezave në qytet, aty ku tani ndodhet Zyra e Kryetarit të Komunës (ish-Gjykata e Qarkut), por dyqane të tilla kishte edhe afër ambulancës qendrore dhe në rrugët e tjera të qytetit./Faik Ziyazade

