Fatjon Bunjaku, futbollisti që u nda nga jeta në moshën 22-vjeçare

Futbolli kosovar është tronditur nga lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të sulmuesit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën në moshën 22-vjeçare pas një aksidenti trafiku, shkruan express.

Bunjaku konsiderohej një nga futbollistët premtues të gjeneratës së tij, ndërsa gjatë karrierës arriti të lërë gjurmë në disa skuadra të njohura në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Ai ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares së Kosovës U21, për të cilën regjistroi katër paraqitje.

Rrugëtimi i tij në futbollin profesionist nisi te Trepça, klub ku u formua dhe bëri hapat e parë në futbollin e të rriturve.

Më pas provoi një aventurë në Kroaci te Zmaj Makarska, para se të rikthehej sërish te skuadra mitrovicase.

Pas periudhës në Trepçë, Bunjaku veshi fanellën e Phoenixit, për të vazhduar më pas karrierën te Liria e Prizrenit.

Më pas ai iu bashkua Gjilanit, ndërsa vetëm pak muaj më vonë transferohej te Malisheva.

Paraqitjet e mira në Superligën e Kosovës bënë që në verën e vitit 2025 të transferohej te Elbasani në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Megjithëse rrugëtimi i tij në futboll u ndërpre tragjikisht dhe shumë herët, Fatjon Bunjaku do të kujtohet si një talent që me punë, përkushtim dhe ambicie arriti të ndërtojë një karrierë të respektueshme në futbollin kosovar dhe shqiptar.