Fatmire Kollçaku rrezikoi mirëqenien e të pensionuarve pas viteve të nëntëdhjeta!

Zeqir Bekolli

Kaloi më tepër se një muaj, kur Komisioni kompetent Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, gjatë shqyrtimit të Projektligjit 08/L, për plotësim-ndryshimet e Ligjit 04/L -131, për skemat pensionale të financuara nga shteti, nuk lejoi që ky Projekligj të dalë për miratim në seancën e fundit të Kuvendit, para se të shkohej në pushim kolektiv.

Burime të brendshme në këtë institucion bëjnë me dije se shkaktarë kryesorë për bllokimin e këtij Projekligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku.

Me këtë veprim edhe ky Projekligj po i bashkohet maratonës së Ligjit për Pagat, që bartet zhag, tash e një kohë të gjatë.

Mungesa e një Ligji të tillë, vazhdon t’i diskriminojë punonjësit, të cilët u dëbuan me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, në periudhën e spastrimit etnik, pas viteve ’90, por edhe kategorinë e gazetarëve dhe punonjësve të gazetës Rilindja, të cilët u pensionuan dhe vazhdojnë të pensionohen me nga 100 euro, pas 45 vitesh punë.

Janë vitet e punës 1999, 2000, 2001 dhe 2002 (para se të miratohej trusti), që nuk i njihen këtij kolektivi, e pa të cilat punonjësit e Rilindjes nuk mund t’i marrin pensionet e plota.

Komisioni, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kollçaku, u sollën me aq injorancë ndaj kësaj kategorie e cila u diskriminua dje dhe vazhdon të diskriminohet edhe sot nga kjo Qeveri.

Kollçaku, me gjasë u ndie mirë kur mori vesh se të gjithë ata që kanë punuar me regjimin kriminal të Millosheviqit, janë rehatuar dhe marrin pensionet e plota dhe në shenjë “hakmarrje” për kundërshtimin që kjo kategori punëtorësh i ka bërë regjimit shtypës e kriminal serb, mori qëndrim për shtyrje në “pafundësi” të këtij Projekligji, edhe pse e di mirë se po pësojnë të pensionuarit, jo vetëm me përgatitje të ulët, por edhe me ata me përkatitje superiore, e me grada shkencore.

Aq ma keq, ky vendim u mor përkundër faktit se kryeparlamentari Konjufca e kishte nënshkruar në pranverë këtë Projekligj dhe miratimi i tij pritej në muajin maj e më së largu në muajin qershor.

Kollçaku dhe deputetët e këtij Komisioni, që dominohen nga shumica, jo vetëm që prekën në identitetin e kësaj kategorie të nëpërkëmbur të shoqërisë, por ata rrezikuan edhe mirëqenien e tyre familjare, në këtë kohë krize, jo vetëm ekonomike.

Me këtë veprim, Lëvizja Vetëvendosje dëshmoi edhe njëherë se premtimin e bërë, para ardhjes në pushtet, se pushtetin do ta zbresin te shtresa e ulët, e kishte vetëm propagandë sa për t’i mbledhur votat.

…………………………………………………………….

(Autori është ish-gazetar i gazetës Rilindja)