Fazli Ali Kelmeni – muhaxhiri që përjetoi fatin e shqiptarëve të përndjekur nga Molla e Kuqe
Historia e familjes Kelmeni pasqyron fatin e shumë familjeve shqiptare që përjetuan dëbime, dhunë dhe represion gjatë periudhave të ndryshme historike.
Babai i Fazli Ali Kelmenit, Ali Kelmeni, ishte muhaxhir nga fshati Mehan i trevës së Nishit.
Ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë, familja e tij u detyrua të largohej nga vendlindja gjatë spastrimeve etnike dhe dëbimeve të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, në fund të shekullit XIX.
Pas shpërnguljes, familja u vendos në Graçanicë. Megjithatë, pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, në vitet 1912–1913, shqiptarët e këtij fshati u përballën sërish me ndjekje dhe dhunë.
Sipas kujtesës familjare, gjatë një sulmi, Aliu ishte ende foshnjë në djep dhe mbeti në shtëpi, pasi nëna e tij nuk kishte mundur ta merrte me vete gjatë ikjes.
Thuhet se një banor u kthye natën fshehurazi në fshat për të kërkuar të mbijetuar dhe e gjeti foshnjën në djep, i cili ishte përfshirë nga flakët.
Ai e shpëtoi dhe e dërgoi te familjarët që ishin strehuar në mal.
Më pas, familja Kelmeni u vendos në Plitkoviq, në Malësinë e Zhegocit, një fshat i banuar kryesisht nga muhaxhirë shqiptarë të ardhur nga vise të ndryshme, prej Mollës së Kuqe deri në rrethin e Bujanocit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fazli Ali Kelmeni mbështeti hapur idealin nacional shqiptar dhe të drejtën e shqiptarëve për liri e vetëvendosje.
Pas vendosjes së pushtetit komunist jugosllav, ai u konsiderua nga organet e sigurisë si person me bindje nacionaliste dhe, si shumë shqiptarë të tjerë, u vu nën mbikëqyrje dhe ndjekje.
Në vitet e para pas luftës, autoritetet jugosllave zhvilluan aksionin e mbledhjes së armëve, i cili në shumë fshatra shqiptare u shoqërua me dhunë dhe keqtrajtime.
Në Plitkoviq, shkolla e fshatit u shndërrua në vend grumbullimi, marrjeje në pyetje dhe torturimi të banorëve.
Sipas dëshmive familjare, pothuajse të gjithë burrat e fshatit u arrestuan dhe iu nënshtruan rrahjeve të rënda. Edhe Fazli Ali Kelmeni u torturua rëndë.
Në kujtesën e familjes ruhen përshkrime të metodave të përdorura, si rrahje sistematike, poshtërim publik, tortura psikologjike, detyrimi për të pirë ujë me dhunë dhe forma të tjera keqtrajtimi, ndërsa të plagosurit transportoheshin me qerre bagëtish.
Pasojat për Fazliun ishin të rënda dhe afatgjata. Sipas rrëfimeve të familjarëve, ai qëndroi për muaj të tërë i shtrirë në shtrat dhe mbeti invalid për pjesën tjetër të jetës, duke vuajtur vazhdimisht pasojat e torturave të pësuara.
Ngjarjet lanë gjurmë të thella edhe te fëmijët e fshatit. Nëna e autorit, e cila atëherë ishte nxënëse e shkollës fillore, kujtonte se, pas përfundimit të mësimit, mësuesi u thoshte nxënësve: “Shkoni në shtëpi, se ne do të luajmë me baballarët tuaj.”
Vetëm më vonë fëmijët kuptuan se kjo ishte një përpjekje për t’i larguar nga skenat e dhunës që zhvilloheshin në oborrin e shkollës.
Megjithatë, pamjet e burrave të gjakosur dhe të shtrirë në qerre bagëtish mbetën të pashlyeshme në kujtesën e tyre.
Klima e frikës dhe represionit ndikoi që shumë familje shqiptare të shpërnguleshin në Turqi, duke kërkuar siguri dhe një jetë larg dhunës politike.
Historia e Fazli Ali Kelmenit, e babait të tij muhaxhir Ali Kelmeni dhe e banorëve të Plitkoviqit përfaqëson një pjesë të kujtesës historike të shqiptarëve të Kosovës në vitet e para të pasluftës.
Ajo dëshmon për pasojat njerëzore të represionit politik, për vuajtjet e familjeve dhe për traumat që u trashëguan edhe te brezat e rinj.
Ruajtja e këtyre rrëfimeve, krahas dokumentimit historik, mbetet një detyrim moral dhe shkencor për të kuptuar më mirë përvojat e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe dhe për të mos lejuar që ato të bien në harresë. /Sabedin Sherifi

