‘Femrat Shqiptare’ dhurojnë 10 mijë euro për nëna me jetimë dhe persona me aftësi të kufizuar

Shoqata Forumi Femrat Shqiptare me seli në Suedi dhe degë në Kosovë, me rastin e festës së Bajramit dhuron nga 100 euro për 100 familje.

Përfitues janë nënat me jetimë dhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët janë përzgjedhur në bazë të listës nga shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës “HANDIKOS”.

Përfituesit janë familje nga komuna e Prishtinës, Gjilanit, fshatit Topanicë në komunën e Kamenicës, si dhe 40 familje nga komuna e Tetovës dhe disa fshatra të Maqedonisë së Veriut.

Ky aktivitet ka filluar dje, nga dita e enjte e do të vazhdojë deri të dielën, kur pritet të shpërndahen mjetet financiare për të gjithë përfituesit.

Mjetet janë grumbulluar nga vetë anëtarët e kësaj shoqate të cilat njëherit janë edhe aktiviste të rregullta të shoqatës.

Shoqata në vazhdimësi ka organizuar aktivitete të ndryshme humanitare, duke përfshirë ndihma për shqiptarët kudo që janë kryesisht në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Shqipëri, si dhe vendbanimet në Luginë.

Shoqata ka ndërtuar 17 shtëpi dhe ka dhuruar 7 banesa për familje me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe nëna me jetimë.

Gjithashtu është duke u ndërtua një shtëpi për një nënë me aftësi të kufizuara në rajonin e Malësisë së Madhe në Shqipëri.

Shoqata gjithashtu në vazhdimësi  ka dhuruar edhe ndihma të tjera qoftë pako ushqimore, dru apo gjëra të tilla të nevojshme për familjet shqiptare në nevojë.

Humanizmi FFSH- Forumi Femrat Shqiptare është themeluar me 1.06.2017 në Suedi, mirëpo ka anëtare shqiptare nga vende të ndryshme të botës, të cilat në vazhdimësi kontribuojnë për një mirëqenie dhe një jetë  më të mirë për shqiptarët kudo që janë.