Ferid Agani e Eman Rrahmani ndajnë rrugët, njëri drejt LDK-së, tjetri me PDK-në
Ferid Agani dhe Eman Rrahmani të cilët në zgjedhjet e shkurtit kishin bashkuar forcat në “Koalicionin për Familje”, me sa duket po ndjekin rrugë të ndryshme politike për zgjedhjet e dhjetorit.
Sipas burimeve të “Front Online”, Eman Rrahmani pritet që nesër të nënshkruajë një koalicion me PDK-në, duke hapur një kapitull të ri në angazhimin e tij politik, ndërsa Ferid Agani pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani ka folur për “Front Online” për bashkëpunimin e tij me Eman Rrahmanin, me të cilin kishte garuar së bashku në zgjedhjet e shkurtit.
“Koalicioni për Familjen ka qenë një bashkëpunim i përbashkët i katër partnerëve politikë dhe rezultati prej rreth 20 mijë votash i atij koalicioni është kapital kolektiv, jo i asnjë individi”, theksoi Agani.
Sipas Aganit, çdo angazhim politik i deriatëhershëm ka qenë pjesë e një përpjekjeje kolektive, ndërsa orientimet e ardhshme politike mbeten zgjedhje të secilit individ.
“Ftesa e bërë Partisë së Drejtësisë nga LDK-ja është vlerësuar me seriozitet dhe përgjegjësi institucionale. Jemi në konsultime të brendshme me partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë politikë. Vendimi do të merret pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë së Drejtësisë nesër mbrëma, dhe menjëherë më pas do ta komunikojmë publikisht”, u shpreh Agani.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor.

