E rëndë: Nëna i tha ta largojë nga shtëpia, burri në Fushë Kosovë rrah dhe dëbon gruan shtatzënë

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku një grua dyshohet se është rrahur e më pas është dëbuar nga shtëpia ku po jetonte me bashkëshortin e saj dhe familjen e tij.

Sinjali mëson se dhunës i parapriu një debat verbal i 20-vjeçares me vjehrrën e saj, e cila me të ardhur djali i vet në shtëpi, ka kërkuar që nusen ta largojë nga aty.

I dyshuari i është bindur nënës së tij dhe si pasojë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes me të cilën ka një fëmijë 5-vjeçar dhe e njëjta është sërish shtatzënë. Pos dhunës fizike që ia shkaktoi, burri recidivist i dhunës në familje, e ka përzënë gruan edhe nga shtëpia.

Përballë kësaj situate, e reja ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Burri i viktimës ka deklaruar para hetuesve policorë se ai dhe gruaja e tij kanë vendosur që të ndahen si shkak i mosmarrëveshjeve të shumta, mirëpo ka mohuar ta ketë sulmuar fizikisht atë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit të nisin hetimet nën dyshimet për për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Ndërsa viktima është pajisur me urdhërmbrojtës dhe është larguar të jetojë me familjen e saj.