Ganimete Musliu me kritika të ashpra kundër PDK’së, bojkoton konventën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka konfirmuar se nuk ka marrë pjesë sot në konventën e kësaj partie, ku u tha se do të ketë përfaqësim 50/50 mes burrave dhe grave.

Musliu përmes një postimi të bërë në rrjetin e saj social Facebook, ka thënë se kjo konventë ka pasur një parullë patetike “50-50”, që për qëllim ka vetëm të tingëllojë bukur.

“Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut”, tha ajo.

Postimi i plotë i Musliut në Facebook:

Kur në emër të reformës synohet ikja nga identiteti.

Për hir të qindra mesazheve që kam marrë sot nga aktivistet dhe aktivistët e PDK-së dhe interesimit të madh të mediave, për mospraninë time në „Konventën programore të PDK-së“, ndjej obligim personal që ta bëj një sqarim publik.

Mungesa ime sot ka të bëjë me mospajtimin tim me mënyrën e organizimit të Konventës, si në kohë si në përmbajtje, si në përfaqësimin.

Sot pamë një Konventë, pa zëra kritik dhe pa një rezyme të proceseve nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike e Kosovës.

Sot, pamë një konventë me një parullë patetike 50-50, që realisht për qëllim ka vetëm të tingëllojë shumë bukur, por nuk pamë një plan konkret se si do të realizohet ky synim 50-50.

Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut.

Secili që merr mundin dhe e analizon këtë koventë, e që vetëm Konventë nuk mund të quhet, padyshim vjen në përfundim se në asnjë rrethanë nuk mund të mohohet tendenca e disa individëve për të kontolluar gjithçka dhe për të përjashtuar çdo gjë që nuk ju shkon atyre për shtati.

Kjo mënyrë e qasjes ndaj aktivisteve më të hershme dhe më të devotshme të PDK-së do të bëhët pengesa më e madhe dhe më shkatërruese për çdo kauzë në të ardhmen; Jo vetëm asaj të Vajzave dhe Grave.

Në PDK, sikurse edhe në partitë e tjera pa përjashtim, gratë dhe vajzat duhet të jenë pa zë, të përshtatën dhe të nënshtrohen sepse vetëm kështu ato respektohen nga individë të caktuar, e që fatkeqësisht këta individë sot udhëheqin partitë politike në Kosovë. Kjo është një situatë që të gjithë e dijnë, por që nuk prononocohen qartë.

Qasja e tillë ndaj grave aktiviste dhe krijimi i një mentaliteti të tillë ndaj grave në përgjithësi e dëmton rëndë kauzën për përfaqësim të dinjitetshëm të Grave në politikë dhe në jetën publike, prandaj për mua është e papranueshme që, kundruall këtyre zhvillimeve, të hesht vetëm pse sot mbaj një pozitë të rëndësishme si deputete dhe si kryetare e Komisionit për mbikqyrjen e AKI-së, gjë që dikush mund ta vlerësojë si zonë komfori. Unë, në rrugën time politike, asnjëherë nuk e kam zgjedhur rrugën e komformitetit.

Nuk mund të ia lejoj vetës të heshti kur jam dëshmitare se çdo ditë, në emër të reformave po shkatërrohet historia, tradita, identiteti jonë politik dhe dinjiteti jonë njerëzor.

Reformat janë të mirëpritura, por nuk reformohet një parti duke mohuar vlerat mbi të cilat u themelua, vlerat mbi të cilat e qeverisi dhe e rindërtoi vendin. Çdo Parti duhet të hapet dhe të bëhët shtëpi ku gjeneratat e reja do të angazhohen, por pa e mohuar kontributin dydekadësh të aktivistëve dhe kuadrove të cilët ishin mburrja dhe krenaria e Partisë dhe e Kosovës.

Reformimi bëhët gradualisht, duke diskutuar hapur dhe sinqertë në organet drejtuese të Partisë dhe duke zhvilluar strategjitë më të mira, duke respektuar meritokracinë dhe duke respektuar dinjitetin e kuadrove poseduese. Por po ndodhë e kundërta. Partia Demokratike, nga një parti e vlerave kombëtare dhe shtendërtuese po shëndërrohet një një „Parti-Pronë“ e një grupi të vogël interesi i cili me çdo verim synon ikjen nga identiteti i saj. Nuk e shoh të arsyeshe të bëhëm numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhën ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkelqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat.

Sondazhet e fundit janë matës serioz për neglizhencën e Organeve të PDK-së. Sot sondazhet na nxjerrin në vendin e tretë dhe po vazhduam kështu nuk dua as të mendoj se ku do të përfundojmë në zgjedhjet e ardhëshme. E kemi provuar me heshtje duke kërkuar debat të brendshëm, por Kryesia aktuale e PDK-së (Kryesia e ngushtë sepse e gjëra është në terr informativ) ka injoruar çdo përpjekje duke u vetëknaqur në „lavdinë“ e tyre momentale. Elektorati i PDK-së, ka mbetur vetëm dhe pa një vizion të qartë të Partisë, prandaj për hir të atyre qindra mijëra votuesve dhe mbështetësve të vërtetë të PDK-së, nuk mund ta marr përgjegjësinë e heshtjes. Do të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Dmeokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Bashkë me ta do të qendroj fuqishëm në PDK, por kurrë më nuk do të hesht para veprimeve destruktive dhe të dëmshme për Partinë dhe për Kosovën. Nëse debati i hapur dhe i sinqertë dhe kritika konstruktive do të më penolizojnë mua personalisht mbetet të shihet; Por do të ngushëllohem nëse në të ardhmen Gratë dhe Vajzat do të marrin guxim dhe do të ngrisin zërin e tyre për përmbajtje dhe për barazi të vërtetë.

Me respektin më të madh për secilen dhe secilin që Partinë e shohin si shtëpi të tyre dhe angazhohen për rikthimin e saj në pushtet, shpresoj që Kryesia e PDK-së do të reflektojë dhe do t´i filloj reformat e vërteta duke respektuar në radhë të parë meritokracinë dhe vlerat tona identifikuese.

Në fund votuesi i PDK-së do të vlerësoj veprimet e secilit prej nesh.