Ferki Shala: Ja pse e lashë muzikën dhe u ktheva n’rrugë t’Zotit

E ka ndryshuar tërësisht mënyrën e jetesës. Dikur e shetiste botën si yll roku nëpër koncerte dhe ishte tejet i mirëpritur.

Ishte në kulmin e karrierës kur ish vokalisti i njohur i bendit legjendar nga Mitrovica TNT, Ferkia Shala, e la muzikën përgjithmonë.

Yllin e rokut të viteve 80-a e 90-ta, gjatë karrierës thotë e ka shoqëruar duhani, allkooli, e më vonë edhe ‘pluhuri i bardhë’.

Sot, i ka braktisur të gjitha, përderisa ka thënë se është penduar.

“Unë e konsideroj një sprovë të kaluaren prej muzikanti dhe një periudhë të errët të jetës sime, nën të cilën qëndrova me vite të tëra larg të vërtetës. Nuk mund të mohoj se kam pasur karrierë të mirë për të cilën ndoshta të gjithë do ta lakmonin.  Mua ma kishte mundësuar Allahu që të kem sukses dhe famë në këtë mision të dështuar”, ka thënë Shala, në një intervistë për gazetën “Java” në vitin 2006, të cilën e ka zhvilluar gazetari Fehmi Maloku, transmeton Mediafokus.info.

Shala thekson se tash po ndjehet mirë, pas siç thotë, ‘u ktheva në rrugë të Zotit”.

“Kam pasur para të shumta në jetën time dhe asnjëherë nuk kam ndier kënaqësi. Tash ndodhë shumë shpesh që ta kaloj ditën me nga 3-5 euro. Kam një rrogë simbolike dhe me të kalojmë për mrekulli. Marr hua në shitoren dhe nuk mërzitem aspak. Dua të bëj një jetë të ndershme dhe hallall”, ka thënë Shala.

Ish vokalisti i TNT thotë se për këtë karrierë prej rokeri, ‘sherrin’ ia pa këngës “Biondina”, e cila dëgjohet tash e 4 dekada.

“Albumi “Biondina” bëri jehonë të madhe, i cili edhe mabëri sherrin më të madhe. Tash po e shoh se e tërë e kaluara ime kishte qenë sherr dhe pikërisht kjo këngë, më pati mundësuar që të bëhesha i njohur në masë të madhe si këngëtar. InshaAllah Allahu m’i falë të gjitha ato që I kam kaluar në jetën time”, thotë i penduar Ferki Shala, transmeton Mediafokus.info.

Ish ylli i rokut kosovar thotë se tashmë, me ndryshimin e mënyrës së jetesës, shokët e dikurshëm më nuk e thërrasin.

“Shumica prej tyre as nuk më thërrasin më kurrë, as nuk më lajmërohen mua. As unë nuk po iu lajmërohem atyre sepse po shihet që më as nuk kam unë nevojë pë rata, e as ata për mua”, ka thënë ai.

Sot, Ferki Shala zërin e tij të veçantë po e shfrytëzon për këndim të ilahive. /MediaFokus/