Festat e fundvitit dhe zgjedhjet: Rritet numri i udhëtimeve ajrore në Kosovë

Evidencat e Sistemit të Menaxhimit të Integruar, flasin për rreth 500 mijë hyrje të qytetarëve të Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore.

Ndërkohë, një fluks i shtuar shihet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë, të nxjerra nga Sistemi i Menaxhimit të Integruar dhe raportimet nga rajonet përkatëse, gjatë javës së kaluar janë regjistruar rreth 500 mijë hyrje të qytetarëve të Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore.

Zyrtarja për informim në ANP ”Adem Jashari” në Prishtinë bën të ditur që festat e fund vitit janë duke i sjellë shumë bashkëkombës tanë, ndërkohë që linjat tona me vende tjerë të BE-së janë ato të cilat po krijohen që të ketë qarkullim sa më të lirë e të mundshëm për qytetar të vendit tonë.

Kulmi i hyrjeve është shënuar gjatë fundjavës, ndërkohë krahasuar me vitin e kaluar është regjistruar një rritje prej 8 për qind në udhëtimet ajrore, shkruan RTK.

“Që nga 1 dhjetori deri më tani kemi procesuar rreth 270 mijë qytetarë. Nëse marrim totalin e udhëtarëve për vitin 2025, shohim një trend të vazhdueshëm rritjeje, me rreth 8% më shumë udhëtarë krahasuar me vitin 2024”, tha Valentina Gara, zyrtare për komunikim me publikun në ANP.