Filloristët vizitojnë Gjykatën Themelore në Gjilan

Mbi 40 nxënës të shkollës fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, kanë vizituar Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Kryetari i Gjykatës Themelore, Ramiz Azizi i ka njoftuar nxënësit punën dhe procedurat si punon gjyqësori, gjykimet dhe numrin e gjyqtarëve.

Ndërsa, administratorja e Gjykatës, Florina Jerliu i ka njoftuar nxënësit punën që kryen stafi administrativ si dhe shërbimet që kryhen në këtë institucion.

Nxënësit, të shoqëruar nga mësuesja Duresa Aliu, kanë shprehur interesim për punën e gjykatës, duke parashtruar një mori pyetjesh si dhe më pastaj kanë vizituar disa salla të gjykimit dhe departamentet e ndryshme.

Gjykata Themelore e Gjilanit, në baza mujore pret nxënësit e shkollave të ndryshme, në mënyrë që ata të marrin sa më shumë njohuri për sistemin e drejtësisë në vend, thuhet në njoftimin e zyrtarit të gjykatës për informim, Sabit Shkodra.