Fisnik Ismaili krijon versionin e tij të stemës së FFK-së, ia ofron falas federatës (FOTO)

Ish-deputeti Fisnik Ismaili ka krijuar një versionin tjetër të stemës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën e ka ndarë me ndjekësit në rrjetin social Facebook.

Ismaili ka shpjeguar në detaje të gjitha elementet e përfshira në krijimin e tij dhe domethënien e tyre.

Ai ka shtuar se kjo stemë do të jetë falas për FFK-në.

Postimi i plotë:

Pardje thashë se ndoshta një ditë flas për stemat, por, për me folë për to, mu desht me e mbarue një falas, që me mujtë me folë për procesin, simbolikën edhe përdorimin e tyne, duke i vizatue gjanat, me shpresë se tezakët që dijnë kompjutera, udhëheqësit e institucioneve edhe klientat e kuptojnë rëndësinë, e qebesa edhe dallimin mes stemës edhe logos, si dhe punën profesionale prej asaj nëpër garazha.

Ka njerëz që jetojnë prej këtij profesioni edhe ia kanë mërzi kur iu zhvlerësohet puna. Sonte po flas në emën të tyne!

Po nisi me këto të fundit. Stemat e këtynehere kanë qenë “logot” e familjeve e principatave, hala pa ekzistue shtetet moderne. Ato janë përba prej shumë simboleve të detajueme (dhe shpesh shumë bukur të vizatueme), që i kanë karakterizue vlerat e asaj familjeje apo principate. Janë përdorë kryesisht kafshë, lule edhe objekte të ndryshme, më së shpeshi ato luftarake. Prandej thuja se krejt stemat edhe sot kanë formë mburoje.

Stemat me kohë janë shndërrue në flamuj, duke u thjeshtue shumë shumë, në vetëm vija dhe ngjyra, për me u identifikue nga larg, posaçërisht nëpër beteja. Prandej hala sot shtetet kanë flamur edhe stemë, që shpesh nuk janë të njajta, pos në ngjyra.

Tutje, me fillimin e industrializimit, kompanitë kanë fillue me i ba “stemat” e tyne, që sot janë logo. Ato me kohë, prej mesit të viteve 1800 e tutje janë thjeshtue vazhdimisht edhe sot i shohim gjithandej. Prandej, dallimi mes stemës e logos është koxha i madh:

Stema hala përdoret prej shteteve, popujve e institucioneve me e tregue madhërinë e tyne, edhe kanë shumë më shumë detaje sesa një logo.

Të dyjat janë të vështira me u krijue. Stemat, sepse lypin shumë me mendue se qysh ka me u përputhë simbolika në detaje, edhe me dijtë me i realizue bukur ato, ndërsa logoja se qysh ka me u paraqitë simbolika në sa më pak detaje, edhe sa më thjeshtë.

Prej inatit me logon/stemën “e falun”, se gjoja ajo e kaluemja nuk është përputhë me standardet e kriteret e UEFA (çfarëdoqofshin ato), mbrëmë vendosa me e ba një version se qysh e shoh unë këtë shenjë, meqë plot do edhe më sfiduen, duke iu përmbajtë do kritereve që mendoj se janë të domosdoshme.

Ky punim mi ka marrë nja 12 orë pune, por mos u mashtroni me mendue se na dizajnerat “pjellim” logo e stema qaty shpejt e shpejt, sepse ky është një proces i gjatë e i lodhshëm. Tjetër është që unë kam punue 25 vjet, për me mujtë me ba diçka shpejt e mirë për kohë të shkurtë.

Sfida kryesore kur e krijon një shenjë janë kufizimet: në ngjyrë, në veprimtari të kompanisë/institucionit, në ndoj kërkesë specifike, në “kriteret” e UEFA-s (që s’pat kurrfarë kriteri për atë shëmti).

Me krijue simbole të institucioneve shtetënore të Kosovës është sfidë më vete! Flamuri aktual ka probleme: Ka hartë, që është gabimi më i madh që ka mujtë me u ba (ka mujtë me qenë diçka e thjeshteume si tatli/diamant, se Kosova qasi forme ka). Ka ngjyrë ari, që s’aplikohet asnjëherë tamon, edhe herë del i verdhë, herë i kaftë! I ka yjet e rendituna veç eh, pa provue të paktën me i rrotullue pakëz, me iu përshtatë formës harkore në të cilën flejnë.

Në çfarëdo shenje me i futë ato simbole, çkado tjetër me provue, ka me u ba xhyveç. Poaq vështirë është edhe me shqiponjën dykrenare që e kemi.

Çka bajnë dizajnerat zakonisht, është me u kapë për ndonjë simbol të lashtë, edhe me u mundue me e futë brenda. Zakonisht janë ilire: Helmetat, hyjnesha në fron që është ba bozë, kjo rrota skandaloze, e pak do tjera. Por, problemi del kur e aplikojnë: ose veç e gjuejnë qaty, pa u mundue me e ndërlidhë me simbolet tjera ma moderne, ose pritojnë me ia jepë atij simboli një formë moderne, që jo domosdo duhet me u dukë si helmetë a hyjneshë menjiherë si te kqyrësh. Helemtat ilire më shumë i shkojnë një logoje të tifozerisë, se asaj shtetnore.

Bukuria e një steme apo logoje është pikërisht kur, sa herë që e shikon, ia gjen një kuptim të ri që nuk e ke pa më herët.

Këtë jam mundue me e ba me këtë shenjë. Por, hala pa fillue, mu ka dashtë me vendosë a po e baj stemë, apo logo. Zakonisht, kur duhesh me futë tekst brenda, si shkurtesa apo emra më të gjatë, logoja shndërrohet në stemë, prandej e nisa si stemë.

Poashtu vendosa mos me përdorë simbole të lashta, për inat të qasaj rrotës. Si ekip futbolli shtetnor edhe ashtu s’kemi shumë histori: 5 vjet në UEFA. Synimin e pata me e ba një stemë moderne, e cila i përfaqëson ngjyrat e simbolet tona shtetënore, por edhe e jep një mesazh për shpirtin e ekipit, e ekipi i Kosovës kurrgja mos pastë, ka SHUMË shpirt!

Në dispozicion i pata 6 yje, tri ngjyra (ari, kaltër dhe bardh), një sferë, qoftë top apo glob edhe 3 shkronja që boll keq shkojnë afër njana-tjetrës (shkronja K është në veçanti e vështirë në dizajn).

Gjëja e parë që të kujtohet është me e krijue një top prej qatyne yjeve. Më lehtë thuhet se që bëhet. Mandej, mos me i jepë zor për me i dhanë njifarë kuptimi, krejt kanë me të thanë “Qe, e ke vjedhë logon e Champions’ League”, që i ka 9 yje të rendituna në formë topi të futbollit, që i simbolizojnë 9 ekipet që e kanë themelue ligën.

E sfidova veten me iu dhanë kuptim 6 yjeve të flamurit, duke e ba një dizajn që e komplekson atë të Champion’s League (modestinë anash), edhe mendoj se ia arrita. Simbolika e yjeve në këtë stemë ka shumë kuptime, të cilat po i spjegoj në vazhdim:

Më së pari, deshta që secili yll me e karakterizue një lojtar të ekipit, duke i dhanë randësi dyve prej tyne, të domosdoshme në çdo betejë – mbrojtjes dhe sulmit:
1. Ylli i artë poshtë në mes është portieri, 1-shi, në pozitë sikur kur e mbron një penallti. Prej tij ndëlidhet krejt ekipi.
2. Ylli i artë naltë në mes është kapiteni, solidi, ylli i ekipit, udhëheqësi që drejton sulmin, përfundi të cilit janë lojtarët tjerë.

Yjet e bardha janë lojtarët tjerë. Secila kambë e tyne është duke ia prekë kambën lojtarit tjetër, me e tregue lojën me kambë, ndërsa janë të kapun dorë për dore me e tregue bashkimin e pathyeshëm.

Këta bashkë e krijojnë një formë sferike, që e simbolizon unitetin edhe e krijon formën e topit, me të cilin luejnë ata, por edhe të globit, meqë shumica janë të shpërndamë nëpër ekipe rreth botës.

Të gjashtë yjet e krijojnë një formacion të diamantit, që është formacion lufte në betejë, por edhe diamanti si formë i gjason hartës së Kosovës edhe natyrisht simbolizon vlerë të naltë, pathyeshmëri dhe shkëlqim. Brenda asaj forme janë edhe disa forma diamanti (të stilizueme), një fleur-de lis (lule shpatore prej Google Translate) e fshehun, që tradicionalisht simbolizon nder, fisnikëri, madhështi, besim edhe unitet, edhe gati një logo e Tesla e fshehun qaty, që dul pa hiri. 🙂

Formacioni i diamantit, i ndërthurrun me formën sferike të topit, e jep një formë të një pike të ujit, e cila simbilizon si tanësi pikat e gjakut, djersës e lotëve (blood, sweat and tears, thënie e famshme), për me arritë deri këtu.

Rëndësi i kam dhanë poashtu simbolikës së rremave (majave) të yjeve. Nëse i numëron rremat që nuk prekin rrem tjetër brenda topit (Yjeve të bardha dhe çkado brenda tyne, përjashto tre rremat e yllit naltë), e sheh se janë 11, që simbolizojnë 11 lojtarët.

Tre rremat e yllit naltë, pastaj, që janë të shndëritun, simbilizojnë krejt gjanat e randësishme të Federatës që shkojnë në treshe:

FIFA-UEFA-FFK
Federata-Ekipi-Tifozët
Blood-Sweat-Tears
Mbrojtja-Mesfusha-Sulmi
Fjala “Kosova” i ka 3 rrokje KO-SO-VA
Fjala “Dardanët” i ka 3 rrokje DAR-DA-NËT

Gati në fund, sfidë e madhe ishte me e stilizue tekstin asisoji, që mos me qenë veç një font qaty i gjuejtun, por me pasë kuptim. Kuptimi në këtë rast është ndërlidhja e shkronjave, në veçanti F dhe K, që i rrethojnë krejt ato vlera që i përmenda ma naltë brenda FFK-së, edhe njëherësh e krijojnë një kornizë të stemës.

Edhe krejt në fund, shiriti i bardhë i drejtuem majtas naltë (ky eshtë drejtimi i të ardhmes dhe ngritjes), që e tregon rritjen dhe zhvillimin, që është synimi i Federatës, e njëherësh në drejtim të kundërt shihet si një rreze drite që e ndriçon këtë tanësi, që e simbolizon lavdinë, famën, triumfin e shndëritjen.

Krejt pa hiri, mbi tre rremat e yllit naltë, më doli një formë si e një plisi të ngjitun shtremtë në krye, për ata që iu mbet hatri që nuk kam futë më shumë simbole kombëtare. 🙂

Hej, nime, qaj si numër 6 po duket si filikaqë e referit, se harrova.

Këtë simbolikë s’ka nevojë kurrë me ia spjegue dikujt. DIkush e sheh ndoj detaj, dikush ndoj tjetër, si pjesë e një tanësie të kandshme vizuele, që të ban krenar me e mbajtë në gjoks, e që nënvetëdije ka rëndësi edhe për lojtarin, edhe për tifozët.

S’po them se ky dizajn është më i bukuri, as ndoshta më adekuati, por ka simbolikë të fshehun shumë, është i pasun me detaje, kish nejtë mirë në fanella, duket modern, edhe definitivisht i len në gjumë krejt logot e FFK-së që i ka pasë deri tash. E qebesa edhe atë tezakun e UEFA-së që na e ka falë logon ta komplekson.

Këtë nuk e bana as për me shitë mend, as për me lypë me e ba logo zyrtare, ndonëse prej meje e keni falas, Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova, vetëm për me ju tregue edhe një herë se jo gjithçka që vjen nga jashtë ka vlerë më të madhe se ato çka mundemi ne vendorët me ba.

Kosova ka profesionistë që kanë kapacitete me u shtye me më të mirët në botë në këtë fushë, por asnjëherë nuk ua dhatë rastin.

Le, se ma gjatë bana me e shkrue qet tekst… Paçi fundjavë të mbarë.