F’mija teri në shtatë vjet – ‘shkon’ ere pa exhel…

Hasan Bunjaku

Pasdreke vonë, kur kish edhe një “konop samari” për të perëndua dielli, Babë Zeneli, nipi i tij Shaban Rukoci e Rama i Xhemës “pa frymë” ia behën te shtëpia e Demirovitëve, dhe u drejtuan sakaq kah oda.

– Jungjat’jeta burra…! – përshëndeti babë Zeneli, dhe Shaban Rukoci, thuaja me një fjalë, ndërsa të tjerët, të zënë si në befasi, u ngritën në këmbë, dhe u përshëndetën me nipin, ndërkohë që Babë Zeneli e zbuloi kufomën e të birit që gjendej në mes të odës, mbuluar me një çarçaf “qenari”.

Pasi e vështroi një copë herë ashtu me fytyrë të ngrirë, siç e kishte tashmë edhe i biri xhenaze, ia hoq nga trupi krejt çka kishte, dhe milimetër më milimetër e kontrolloi të birin, në mos po zbulonte ndonjë shenjë goditjeje, plage, a përdorje dhune ndaj tij, dhe pasi u sigurua që ishte kjo një vdekje e natyrshme, siç u ndodhte rëndom, veçmas, fëmijëve, e puthi lehtë në ballë, dhe ngadalë, fare lehtas, thuaja se druante se mos e lëndonte, sërish e mbështolli siç e gjet, dhe e mbuloi me çarçaf…

– Ban gajret e mos u mërzit: banu i fortë, o Zenel! – iu drejtua Haziri i Xhemës.
– Kaq e paska pasë t’shkrume, Allahi e çoftë n’lula t’Xhenetit…

– Zoti e begenisi, e e murë për veti…
– E paç djalin tjetër, e hala i ri je ti, xhanëm, Zoti ka sa të dush…
– Zoti jau shtoftë sabrin…

– Zatën, kështu u kanë, pej se u kurdisë kjo dyje… – sipas një rradhe, si me ndonjë komandë, secili në mënyrën e vet, i shprehën ngushëllime Babë Zenelit burrat e odës.

– Bereqat versën pej krejtve e banmani hallal se ju asht dasht me u baravatë me këtë sabi, se nuk qëllova k’tu: tuj nga mas do trofqe vesikash, he shkret metshin, ishalla! – shfryu dufin që iu kishte mbledhë në gjoks, thue se ato farë vesikat, ia kishin krejt fajin…

– Au, Zenel: çka janë k’to fjalë? Po, na borxh, more, ja kemi njani-tjetrit…! – foli qortueshëm Bajrami i Shabanit…

-Allahi, i kofshim falë, atë ditë qi na ka jaranisë, ne e ka caktua edhe sa kemi me rrune n’kit dyje t’rrejshme… Lumi ai q’i përcell ndokan përpara e ka kush e pret n’atë dyje, demek, n’ahret!… Se s’bija, ter në shtatë vjet asht pa kusure, e hiç pa shybe, Zoti e rahaton në Lula t’Xhenetit…

Nuk bahet azap për kurgja… Po, ama, edhe thmija, teri n’shtatë vjet, mun me “shkue” edhe hiç pa exhel: pej m’syshit, vallahi, bilahi, tallahi – po… – jepke vajz Hoxha…

– Po, aa nuk po bajka me e marrë Zoti naj t’vjetër, nja qi e ka “hangër kit dynja”, po ni sabi, hala pa i çel syt mirë, a…!!! – iu drejtua bukur me naksllëk nipi Shaban Rukoci, ndërkaq që gjyshi Demir e zhbiroi me një vështrim qortues, nipin, e ky “u pre” dhe e uli kokën…

– Mos u ngarko me xhynahe o Rukoc, se Zoti krejt nin e krejt sheh…! Krejt për qat udhe jemi, e ni ditë na qetu asnja nuk do t’jemi e do t’vinë tjerë gjin, e k’shtu, zingjir… Lum ai qi ka “ku me shkue” e “me çka me shkue”, e mjer ata që nuk ja kanë ba hiç hyzmetin ahretit…. – une kaq pata, se nashta edhe jau çava kryt, po unë, e kam për vazife me jau msue udhën e Zotit miletit, e kush e mer, e mer e kush s’e mer me zor s’i jipet, jahu!…

– A janë ba gati krejt senet e a janë thirrë gjinja për nesër?… – pyti me një zë të mekur Babë Zeneli.

– Hiç pa merak, krejt janë hujdisë senet…- u përgjegj Bushati, i cili deri atëherë s’e kishte çelë gojën.

– Shkoni e bini e fleni pak, se xhenazen e ruj unë vetë! – foli gjyshi Demir…

– Jaa, vetë nuk t’la kurrë: qe po rrimë bashk, se tybe, fije t’gjumit sonte n’kam. – ia ktheu Shabani i Mehmetit.

– S’pat lazëm hiç, po bereqatversën, o Shaban! – ia ktheu me falenderim Shabanit, gjyshi.

Në ndërkohë, të tjerët, pos këtyre dyve, dhe xhenazes midis odës, dolën dhe shkuan të pushojnë pak se nesër kishin akoma punë për të bërë…

(Shkruar në prill 2014)