FMN: Ekonomia e Kosovës pësoi rënie për 6 për qind gjatë pandemisë

Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet për 4.5 për qind për vitin aktual.

Kështu ka deklaruar Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi projeksionet e rritjes ekonomike në botë.

“Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike”, tha përmes një deklarate FMN.

Në të gjithë botën, bankat qendrore dhe qeveritë kanë lëshuar triliona dollarë për të luftuar recesionin e shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Po ashtu, Banka Botërore në raportin e fundit mbi gjendjen ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore, tregon se ekonomia e Kosovës gjatë pandemisë ra 6.9 për qind.

“Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6.9 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet 4 për qind këtë vit pasi COVID-19 vendoset nën kontroll dhe besimi i konsumatorit dhe biznesit rikthehet”, njofton Banka Botërore, përcjell Telegrafi.