Fryma e dënimit dhe ora e zhgënjimit!

Shkruan: Arsim Kastrati

Pothuajse një popull i tërë, së bashku me një krah politik përkrahës, e priti verdiktin e pafajsisë dhe lirimin e katër ish liderëve të luftës çlirimtare dhe të institucioneve shtetërore të pasluftës.

Pritëm dhe ishim gati për një festë të madhe por vendimi na befasoi, na hidhëroi e dëshpëroi pa masë, për shkak të vuajtjes njerëzore dhe për shkak të rrezikut të njollosjes së luftës çlirimtare e të shtetit të Kosovës.

Hidhërimi, revolta dhe brengosja e nxorrën popullin në rrugë e sheshe për gadi një muaj rresht, u kërkua drejtësi, u miratua një rezolutë dhe një ligj (me qykë zori e pas minutave të fundit) nga deputetët e rinjë të kuvendit, një ligj për ti mbrojtur njerëzit tanë në Hagë.

E siç e dimë, ky ligj do të kthehet mbrapa shumë shpejtë, me kërkesën e partisë politike e cila e kishte shtyrë në krye të herës përpara.

Zhgënjyese për qeverinë, që asnjëherë nuk veproi sipas masës së dëmit shtetëror dhe nacional të dënimit eventual të katërshës së Hagës.

Zhgënyese për PDK-në, që si duket ka dështuar të mobilizojë masë popullore kontribuese, të grumbulloj fonde dhe të luftoj ‘dhëmbë për dhëmbë’ me gjykatën politike me seli në Hagë.

Edhe që nuk tregoi se pse kërkoi që ligji të kthehet mbrapsht në parlament, prej derës së fundit të miratimit të tij që ligjërisht është dera e presidencës së republikës, por që faktikisht mund të jetë edhe ajo e presionit ndërkombëtar.

Në rastin e burgosjes dhe gjykimit të Ramush Haradinajt në Tribunalin Ndërkombëtar, kishte një mobilizim më të madh kontribues financiar, por edhe tjetër kush qeveriste në Kosovën e atyre viteve dhe Kosova shihej më me simpati nga BE-ja e SHBA-të.

Zhgënjyese për korin e analistëve politikë, që të shumtën merren me garën e brendshme politike dhe nuk u shkon analiza tek pozicioni i Kosovës në skenën politike rajonale e ndërkombëtare dhe rreziqet që i kanosen prej andej.

Një herë e një kohë kur vendi ynë kishte marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe BE-në, krye pengu i Hagës e dinte saktë edhe orën e shpalljes së pavarësisë, kurse tani në orën e tij të ligë dhe rrethanat jo të mira në të cilat gjendet Kosova, askush nuk diti me dalë e me na thanë, që t’mos bëhemi gati për festë se ata do t’i dënojnë.

Procesi akoma ska përfunduar dhe ne mbesim me shpresën e lirimit të tyre nga kulla faqezezë e Hagës!

E BE-ja, si gjithnjë vazhdon të rrefuzojë çdo kërkesë të Kosovës që del jashtë kompromiseve të bisedimeve me Serbinë, e në ndërkohë nëpër festat e saj ka filluar të argëtohet me muzikë nacionaliste serbe.

Por, do të ishte e rrezikshme dhe e pandershme që për disfatat e zhgënjimet tona ta kërkojmë fajin gjithmonë tek “Zonja e vjetër” dhe tani te tronditjet e mëdha në skenën e politikës botërore, duke e injoruar pa aftësinë dhe konfliktualitetin primitiv të politikës sonë në tërësi.

Ç’do të thotë për qeverinë e Republikës së Kosovës, nëse tani në rastin e Thaçit me shokë e kupton domosdonë e kompromisit politik me BE-në apo edhe me SHBA-të, dhe e modifikon sipas tij politkëbërjen e saj?

Dhe ç’do të thotë për ata politikanë LDK-istë dhe qytetarë të tjerë të vendit, që nuk janë pak dhe që intimisht apo edhe publikisht i gëzohen mundësisë së dënimit të katërshës së Hagës, dhe që pas vështirësive evidente të funksionalizimit të ligjit në fjalë dalin e thonë se e kanë ditur që kjo nismë s’bëhet dhe prandaj nuk e kanë përkrahur asnjëherë?!

E vërteta është që këndej pari askush troç nuk e tha e mbase edhe nuk e ka ditur, se lirim nga Kulla e Hagës nuk do t’kishte dhe se ligji për gjykatën e saj e ka të vështirë të vihet në jetë.

Kjo thotë shumë për gjendjën e Kosovës dhe për të gjithë politikanët e intelektualët që ajo i ka.

Është koha ta ndalim entuziazmin e zhdukjes së tjetrit nga soji ynë, dhe të shihemi në pasqyrën e botës!