Fusha e Sherbeleve gjendet në këtë fshat të Gjilanit
Izeir Hyda
Në anën e djathtë të rrugës Uglar – Pogragjë, përballë Kalasë, pikërisht rrënzë shkëmbit kurrizor që e ndanë Pogragjën nga fshati Uglar shtrihet Fusha e Sherbeleve.
Këtë fushë pjerrake që shtrihet në këmbët e Malit me të njëjtin emër e mbështjellë rrjedha gjarpërore e lumit Morava.
Ky vend e ka marrë emrin nga bima Sherbelës dhe i takon llojit të toponimeve me emra bimësh.
Në fushat e Pogragjës rriten shumë bimë karakteristike që banorët e kësaj ane i kanë përdorë si ushqim për njrëz dhe kafshë dhe si bimë mjeksore si: Kakureki, Labodi, Hithi, Lëpjeta, Sherbelja etj.
Këto tri të fundit i kemi përdorë si ushqim për njerëz.
Hithi – bimë e egër barishtore me gjethe të dhëmbëzuara që ka një push të imtë djegës. Është bimë ushqyese.
Lëpjeta (lat. Rumex acetosa), ne e kemi quajtur lëpetra; është bimë e egër, barishtore shumëvjeçare.
Sherbela (lat. Salvia) është bimë aromatike me veti ushqyese dhe sheruese.
Këto tri bimë, ne në fshat, i kemi përdorë për ushqim.
Me këto bimë kemi përgatitur pite dhe shpesh në brumin e pites e futnin një monedhë metalike dhe neve fëmijëve na thonin se kush e gjenë monedhën ka fat, pra na nxitnin që të hamë sa më shumë për shkak të vetive ushqyese të këtyre bimëve.
Sherbela është bimë me veti të mëdha shëruese që përdoret për mjekimin e shumë sëmundjeve: të mushkrive, sistemit të frymarrjes, mëlqisë dhëmbëve, erës së gojës, sëmundjes së sheqerit, tensionit të lartë e shumë të tjera.
Kjo bimë rritet në të gjitha trojet shqiptare, në Kosovë, Malësinë e Madhe (e quajnë Ari i Malësisë së Madhe).
Vlerësojmë se banorët e kësaj ane e kanë njohur këtë bimë nga kohët e lashta, që rritet në këtë fushë, nga e cila e ka merrë edhe emrin Fusha e Sherbeleve.
Në trojet shqiptare ka me qindra toponime me emra bimësh si: Dardha, Molla e kuqe, Mollas, Thanas, Qaf’thanë, Fusharëz e shumë të tjera…
Po ashtu edhe në Pogragjë ka emërtime të tilla si: Dardha Ukere, Te verrat, Qarrishta, Te Vidhat, Te Kakurekat, Livadhet e Priftit, Blinaja, Përroni i Kumbullave, Përroni i Shelnjeve, Përroni i Krekëzave, Lugu i Thanës, Lugu i Shkozës, Fusha e Basilegut, Fusha e Sherbeleve…
Fusha e Sherbeleve dhe Fusha e Basilegut janë dy emërtime të vjetra që nuk i kam hasur dikund tjetër. Ato jetojnë edhe sot në kujtesën tonë duke e ruajtur origjinalitetin e emrit të këtyre bimëve ushqyese e shëruese./Mediafokus.info

