G.R. dënohet me 30 vite burgim vrasje të rëndë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit G.R për shkak të veprës penale ‘vrasje e rëndë’ dhe e ka dënuar atë me burgim në kohëzgjatje prej 30 vite.

I akuzuari G.R në bashkëkryerje me personin N.N më datë 29.04.2009 në orët e pasdites, në fshatin Llugagji të Lipjanit, me dashje e me qëllim të privimit nga jeta tani të ndjerin N.H, për shkak të një borxhi në shumë prej 2000 euro të cilën ia kishte huazuar i ndjeri.

I akuzuari G.R, e kishte telefonuar tani të ndjerin dhe pasi ishin takuar me të, e kishin goditur në mënyrë dinake me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e kishin lidhur në këmbë dhe duar me tel, ia kishin vendosur një qese najloni në kokë, e kishin mbështjellë me batanije, pastaj e kishin vendosur në bagazhin e veturës dhe trupin e viktimës e kishin dërguar në një arë në mes të fshatrave Smallushë dhe Dobratin të Lipjanit, të cilin e kishin lyer me benzinë dhe djegur.

Me këtë i akuzuari G.R ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ nga neni 147 paragrafi 3 lidhur me nenin 23 të KPK-së, thuhet në njoftim.