Gani Bajraktari këshillon kolegët mjekë: Mos shpërndani ‘receta’ për trajtimin e COVID-19 pa referencë shkencore

Profesori i Mjekësisë Interne në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Hasan Prishtina”, Gani Bajraktari, ka reaguar ndaj një ‘recete’që është bërë virale në rrjete sociale, kinse për trajtimin e COVID-19, raporton Mediafokus.info.

Përmes profilit të tij në Facebook, prof. dr. Gani Bajraktari ka kritikuar edhe kolegët e tij mjekë, të cilët kanë shpërndarë në profilet e tyre këtë ‘recetë’ për trajtimin e Coronavirusit.

“Kjo këshillë e shpërndarë në FB nga shumë qytetarë dhe mjekë, pêrderisa nuk ka referencë shkencore, gjason të jetë e pabazuar. Për mē tepër konsideroj se mund të jetë shumë e dëmshme për qytetarët e vendit tonë, dhe atë në dy rrafshe”, ka shkruar ai, transmeton Mediafokus.info.

“Shumë pacientë të infektuar me COVID-19, do të tentojnë tê vetmjekohen në shtëpi, duke u vonuar kështu për mjekim adekuat në spital, me pasojë dëmtimin e shëndetit dhe humbje jete, dhe njerëzit të kapur nga paniku i sêmundjes do të shpenzojnë edhe ashtu buxhetin e varfër familjar duke blerë tërë këto gjëra në shtëpitë e tyre, pa e ditur nëse do të iu duhen apo jo!”, ka shtuar Bajraktari.

Ai u ka bërë apel të gjithë profesionistëve shëndetësorë që, “ose citojeni referencën ku e keni marrë këtë “recetë” shkencore, ose fshini nga rrjetet tuaja këtë këshillë të pasaktë ose gjysëm të saktë, sepse mund të shkaktoni dëme pa vetëdije. Ju falënderoj për mirëkuptim!”./Mediafokus.info/