Gara për kryetar të Gjilanit: Kandidatët e PDK e AAK u ‘tradhtuan’ nga subjektet e tyre

Tashmë është e qartë se në Gjilan do të ketë balotazh për kryetar Komune ndërmjet LDK-së e LVV-së, ku diferenca mes votave është shumë e ngushtë në rundin e parë, raporton Mediafokus.

Por, interesant është se përderisa Lutfi Haziri (LDK) e Alban Hyseni (LVV) kanë marrë vota më shumë se subjektet e tyre, dy kandidatët tjerë, Leonora Bunjaku (PDK) e Nazim Gagica (AAK) nuk i kanë marrë të plota as votat e subjekteve që përfaqësojnë.

Kështu, sipas rezultateve të deritashme të KQZ-së, Leonora Bunjaku ka siguruar 3241 vota, kurse PDK-ja – 4945, derisa Nazim Gagica ka 982 vota, kurse AAK-1188.

Nga kjo del se këta dy kandidatë janë ‘tradhtuar’ nga subjektet e tyre.

Në anën tjetër, Gani Neziri, njëri nga dy kandidatët e pavarur, ka thënë se nuk u votua nga miqtë e tij, duke e quajtur këtë një çështje ‘serioze’.

“Si kandidat i pavarur që isha, nuk më votuan disa nga miqtë e mi nga “frika” se vota u shkonte huq. Prandaj, zgjodhën të votojnë andej ku nuk ju shkon vota huq!”, ka komentuar Neziri./Mediafokus.info/