Gazeta zvicerane: Sipas OBSH-së, pandemia në Kosovë është jashtë kontrollit

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ka shkruar për gjendjen e rëndë me pandeminë nëpër të cilën po kalon Kosova javët e fundit. Përqindja e lartë e udhëtarëve të sëmurë që kthehen nga Kosova ka qenë diçka për të folur në Zvicër për javë të tëra. Por cila është situata në vetë vendin, ka pyetur NZZ, duke shpjeguar më tej gjendjen.

Mediumi zviceran shkruan se definicioni i OBSH-së se kur pandemia është jashtë kontrollit vlen për Kosovën. Sipas OBSH-së, kjo konstatohet nëse në një vend së paku çdo i pesti test i koronavirusit rezulton pozitiv.

Në Kosovë ka nivel të përhapjes së pakontrollueshme të virusit, pasi një javë gjatë 7 ditëve përpara se Qeveria të merrte masa të reja kufizuese, incidienca arriti nivelin më të lartë gjatë pandemisë. Më 20 gusht, numri i testeve që rezultuan pozitive e kishte kaluar pragun prej 20%.

Ekspertja kosovare e çështjeve të shëndetësisë, Edona Deva, e cila punon për Community Development Fund në Prishtinë, i tha “Neue Zürcher Zeitung” se ditëve të fundit është shënuar një rënie e lehtë e rasteve, por vlerësoi se kujdesi ndaj pacientëve paraqet një sfidë të madhe. Në fund të javës që shkoi, në Kosovë ishin të shtrirë në spital 1200 pacientë me Covid-19.

Kosova ka njërin prej sistemeve më të dobëta shëndetësore të Europës. Në vitin 2019 qeveria ka ndarë vetëm 3,5% të prodhimit të brendshëm bruto për sistemin shëndetësor. Mesatarja europiane është trefish më e lartë, shkruan NZZ.

Deva e bën përgjegjës sistemin e dobët shëndetësor për numrin e lartë të viktimave. Më 29 gusht vdiqën 36 persona të infektuar me koronavirus, që shënon rekord të zi në Kosovë.

Edona Deva problemin më të madh në luftimin e pandemisë e sheh te përpjekjet e mangëta për ta kufizuar përhapjen dhe për t’i zbatuar masat.

Në shkurt, ambasadori amerikan në Kosovë kishte njoftuar qendrën në Washington se Kosova po sillet sikur Covidi nuk ekziston.

Kafenetë mbusheshin plot, maskat pothuaj nuk barteshin fare, ndërsa fushata e vaksinimit as që kishte nisur. Deri më tani vetëm 17% e popullsisë janë vaksinuar plotësisht.

Deva thotë se autoritetet duhet t’u drejtohen direkt njerëzve me oferta për vaksinim.

“Duhet shkuar nga dera në derë. Sidomos kur skepticizmi është i madh”, është shprehur ajo.

Mosha mesatare e ulët në vendin më të ri të Evropës ka të ngjarë të ketë kontribuar në një shkallë të caktuar të pakujdesisë.

Por prej kohësh ka shumë të rinj në mesin e pacientëve të sëmurë rëndë. Vetëm javën e kaluar, katër gra shtatzëna vdiqën nga Covid-19. Kur u prezantuan masat e fundit, kryeministri Albin Kurti njoftoi një prani të shtuar të policisë për ta kontrolluar zbatimin e masave.

Kurti tashmë ishte përpjekur të bënte emër gjatë fushatës elektorale me një politikë të përgjegjshme në menaxhimin e pandemisë. Sidoqoftë, qeveria e tij nuk arriti t’i merrte masat e nevojshme për sezonin veror, i cili është gjithashtu shumë i rëndësishëm ekonomikisht për shkak të vizitave të mërgimtarëve.

Vetëm 17% e popullsisë kosovare janë plotësisht të vaksinuar. Për një kohë të gjatë kjo kishte të bënte edhe me mungesën e vaksinave. Kosova ishte vendi i fundit në Evropë që kishte marrë doza të vaksinave. Vendi tani ka mjaft vaksina.