Gazetat e huaja për (mos) marrëveshjen Kosovë-Serbi për veriun

«Demontimi i barrikadave në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës» është titulli i së paku katër gazetave frankofone zvicerane që njëkohësisht kanë botuar po të njëjtin autor nga AFP.

Ashtu siç ishim të njoftuar këto gazeta përcjellin lajmin se «serbët e Kosovës të shtunën tërhoqën automjetet që kishin vendosur për të bllokuar rrugët që çonin në kufirin me Serbinë, pasi Beogradi dhe Prishtina ranë dakord të zbusin tensionet».

Gazetari i AFP-së «nuk harron» t’i quaj palët në këtë rast «armiqtë e vjetër» duke thënë se ata «ishin në mosmarrëveshje për gati dy javë pasi Kosova ndaloi hyrjen e makinave me targa serbe në territorin e saj, duke imituar ndalimin e serbëve për disa vjet për lejimin e automjeteve për të hyrë në drejtim tjetër».

«Kosova kishte dërguar forca speciale të policisë për të mbikëqyrur zbatimin e ndalimit, duke zemëruar serbët vendas që bllokuan rrugët që çonin në kufi. Serbia u përgjigj duke vendosur tanke pranë kufirit dhe duke qëndruar pezull mbi të me helikoperët e saj», thotë gazetari i AFP.

Vazhdimin e dijmë të gjithë deri aty kur «këto episoda bënë që diplomatët e huaj të nxisin të dyja palët që të zbusin tensionet dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm».

E gjithë kjo përfundon «sipas një marrëveshjeje të negociuar nga Bashkimi Evropian të enjten në Bruksel, dhe që korrespondon me dëshirat e të dyja palëve sipas tyre, Kosova duhej të tërhiqte forcat e saj speciale të shtunën dhe serbët vendas të çmontonin barrikadat e tyre» përcjellin lajmin këto gazeta.

Siç ishte e paraparë në marrëveshje «ushtarët e KFOR -it (forca e NATO -s përgjegjëse për sigurinë e Kosovës) u vendosën në kufi për dy javë, me qëllim të sigurimit të “një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes”.

E mira e kësaj të shtune është që «heqja e barrikadave dhe tendave në të cilat flinin protestuesit serbë kaloi pa incidente», thuhet gjithnjë sipas një korrespondenti të AFP.

Shkrimi i publikuar humbë objektivitetin e tij kur ai vë në pamje vetëm mendimin e njërit prej protestuesve serb, pa kërkuar t’na bëjë me dije se pjesa «dirigjuese» e protestuesve aty ishin persona me një të kaluar të ngarkuar për vepra luftënxitëse e kriminale, që përfshinin jo vetëm territorin e Serbisë, por të ardhur edhe nga Mali i Zi.

Gazetari i AFP, ka harruar po ashtu të na bëjë me dije se aty ndodhej edhe Lëvizja imperialiste ruse që është shpallur organizatë kriminale nga SHBA.

“Është mirë që gjithçka përfundoi. Ne i kemi treguar Prishtinës se forcat speciale nuk kanë çfarë të bëjnë këtu, tha një serb 33-vjeçar i cili e quajti veten Slavko, shkruan gazetari i AFP, dhe vazhdon se Slavko paska thënë se «prania e KFOR-it ose policisë së zakonshme në kufi nuk na shqetëson”.

Më tutje ky artikull, lajmëron se këtë të shtune trafiku po rifillonte gradualisht në pikën kufitare të Jarinjes, të përshkuar nga kamionë të bllokuar atje për disa ditë.

Siç kanë përcjellë lajmin Qeveria e Kosovës edhe në këtë artikull thuhet pos tjerash se «në Bruksel, të dyja palët gjithashtu vendosën të enjten, deri në një marrëveshje përfundimtare, për të lejuar drejtuesit e automjeteve të të dyja palëve të mbulojnë simbolet e sovranitetit në pllakat e tyre me afishe».

Një hap i rëndësishëm i respektimit të Republikës së Kosovës, nga Serbia, fillon nga kjo simbolikë, që për gazetarin e AFP-së po të thuhej kështu, sërish ndoshta mund të rezultonte me «zemërimin» e komunitetit serb në Kosovë.

Serbët e Kosovës, duhet të zgjohen e të lirohen nga gënjeshtrat e qeverisë aktuale serbe për të ndërtuar jetën e tyre nëse duan të jetojnë në paqe në Kosovë.

Më në fund korrespondenti i AFP thot se «Kosova dhe Serbia, e cila kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e ish-krahinës së saj me shumicë shqiptare, gëzojnë një marrëdhënie të trazuar e cila është një pengesë e madhe për integrimin e tyre eventual evropian. Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, njihet nga njëqind vende, por jo nga Serbia e mbështetur nga aleatët e saj rusë dhe kinezë».

E krejt atë që duhet ta dijmë se çka po thojnë gazetat, është se: «Të bëhesh i vetëdijshëm do të thotë të transformosh vellon që mbulon dritën, në një pasqyrë». /MLH