Gjendet i varur në mal ish-ushtari i UÇK-së 

Mëngjesin e sotëm është gjetur një trup i pajetë në një mal të Skënderajt, që ka rezultuar të ishte i një veterani të luftës.

Burime të gazetës “Jepi zë”, brenda policisë, kanë deklaruar se viktima është Bekim Miftari, veteran i UÇK-së në zonën e Drenicës.

Sipas informacioneve, 48-vjeçari u gjet i varur në litar në mal dhe nuk ka dyshime të tjera rreth vdekjes.

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Skenderaj 26.06.2021-23:00. Është raportuar  se dëshmitari mashkull kosovar në pyll  kishte gjetur  viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor ku nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.