Gjendet i vetëvarur në banesë Saimir Kuçi, ishte në “arrest shtëpie”
Saimir Kuçi, një nga anëtarët e grupit të grabitjeve “Hijet e Natës”, është gjetur mbrëmë i pajetë në banesën e tij në Tiranë.
Mësohet se kanë qenë familjarët e tij ata që e kanë gjetur Kuçin të vetëvarur.
Kujtojmë se Kuçi u arrestua në muajin nëntor 2021, nga Prokuroria e Krujës, si person i dyshuar në grabitjen dhe torturimin brenda në banesë të Nazmi Çangut, në fshatin Nikël të Fushë-Krujës.
Që prej datës 10 dhjetor të vitit të kaluar, 37-vjeçari qëndronte në banesë, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë urdhëroi lirimin e tij nga burgu, duke caktuar masën ‘arrest shtëpie’.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 20.03.2022, në rrugën “Petro Marko” në Yzberisht, është gjetur nga familjarët e tij i pajetë në banesë, dyshohet i vetëvarur, shtetasi S. K., 37 vjeç.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

