Gjendet pa shenja jete një personi i cili ishte raportuar i zhdukur

Një person, i cili ishte raportuar i zhdukur prej gati dy muajve, është gjetur pa shenja jete në fshatin Skoqne të Vushtrrisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas Policisë viktima është 56 vjeçar me inicialet D.S.

“Në orët e pasdites së sotme Policia në Vushtrri ka pranuar informacion nga ana e një qytetari mashkull kosovar i cili ka informuar se në një zonë malore në fshatin Skoqne të Vushtrrisë, kishte hasur në një person të shtrirë. Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës dhe është identifikuar nga familjarët trupi i pajetë. Viktima D. S., 56 vjeçar, që nga data 09.02.2021 ishte i raportuar si person i zhdukur në Stacionin Policor në Vushtrri”, ka thënë Zahiti.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.