Gjendje alarmante në Infektivë, asnjë shtrat i lirë për pacientë

Mëngjesi i së enjtes e gjeti Klinikën Infektive pa asnjë shtrat të lirë për pacientët me COVID-19.

Këtu tanimë mund të trajtohen vetëm ata që kanë nevojë për asistim me osksigjenoterapi. Ekipi i Kohës, gjatë së enjtes, për disa orë ka qëndruar në hapësirat e Klinikës Infektive, ku janë duke u trajtuar më shumë se 100 persona. Sipas mjekëve këtu, 70% e pacientëve kanë nevojë të asistohen me oksigjenoterapi, derisa gjendja e tyre është e rënduar.

Ndonëse jashtë mbretëron temperaturë e lartë, stafi shëndetësor vizitën e mëngjesit e kryen përmes tarracës së spitalit, për të evituar kështu ndonjë infektim të mundshëm nga Covid-19.

Me temperaturë, djersitje dhe saturim të ulët, ishte sjellë dy javë më parë në gjendje të rëndë edhe një mjek nga Presheva.

Ylber Islami, i cili punon si internist, beson se u infektua gjatë punës së tij me pacientë.

Ismali, i cili ka dy javë që nuk është shkëputur nga aparati i oksigjenit, thotë se virusi i ka shkaktuar dëmtime të rënda në organizëm.

Të tjerët pacientë thonë se kanë më shumë se 10 ditë që janë në oksigjenoterapi, derisa shërimi po ecën shumë ngadalë.

Infektologët thonë të janë të shqetësuar për pacientët të cilët gjatë gjithë kohës po u vijnë me simptoma të rënda shëndetësore. Derisa mes tyre ka edhe të rinj, transmeton Koha.

Nga 109 pacientë, të cilët këtë të enjte ishin duke u trajtuar në Infektive, 8 prej tyre janë me ventilim mekanik, derisa të tjerët me oksigjenoterapi.