Gjermania dëbon 46 refugjatë shqiptarë, një tjetër deportim pritet në janar

Qeveria CDU-Partia e Gjelbër në Baden-Württemberg po vazhdon dëbimet kolektive në Ballkan në mes të krizës së koronës pavarësisht kritikave të bëra nga vetë të Gjelbrit në parlament, shkruan rdl.de.

Të hënën, më 14 dhjetor, 46 persona janë dëbuar në Tiranë. Kryeqyteti shqiptar është vatra e koronës në vend, transmeton albinfo.ch.

Në ndryshim me dëbimin skandaloz të bërë në Afganistan të mërkurën, dëbimet kolektive në Ballkan nuk kanë ngjallur pothuaj fare vëmendje madje as nga organizata si Pro Asyl.

Fillimisht, Qeveria në Karlsruhe madje donte të deportonte 91 persona. Landi Baden-Württemberg u ka siguruar madje ndihmë zyrtare për dëbim shumë republikave të tjera federale.

Kështu, një person është dëbuar nga Brandenburgu, katër nga Berlini, një nga Hesseni, tetë nga Saksonia e Poshtme, katër nga Rheinland-Pfalz, dy nga Schleswig-Holstein, një nga republika Saarland, një nga Saksonia-Anhalt dhe katër nga Thuringeni.

Dy nga të dëbuarit ishin burgosur më parë në qendrën e dëbimit në Pforzheim, një nga ta, një grua, jetonte në një qendër shtetërore pritjeje, transmeton albinfo.ch. Midis të dëbuarve kishte edhe dy të mitur të pashoqëruar të moshës 12 dhe 17 vjeçare, të cilët kishin jetuar më parë në Gjermani për më shumë se 3 vjet.

Dëbimi i fundit kolektiv nga Baden-Württemberg para këtij në Tiranë, ka ndodhur më 9 dhjetor, me destinacion Serbinë.

Një deportim kolektiv në Kosovë është planifikuar gjithashtu për në janar, sipas të “Aktion Bleiberecht”./Mediafokus.info