Gjermani, dy të rinj nga Kosova humbin jetën në aksident

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mërgatën shqiptare dhe Komunën e Rahovecit, pasi tre persona humbën jetën të dielën pasdite në Gjermani, mes tyre edhe dy të rinj nga Kosova.

Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, ku në një përplasje zinxhirorë u përfshinë gjithsej nëntë automjete.

Dy viktimat shqiptare janë identifikuar si Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit.

Lajmin e hidhur për ndarjen e tyre nga jeta e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjeve Morina dhe Zeka.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, dy drejtuesit e mjeteve, të moshës 18 dhe 19 vjeç, kanë ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ka vdekur disa orë më vonë në spital, duke mos u mbijetuar plagëve të rënda.

Po ashtu, nga ky aksident mbetën të lënduar edhe tre persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçare e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.