Gjermania përkrah një marrëveshje që i kontribuon stabilitetit të rajonit

Berlini zyrtar në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar idenë e lëvizjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë qëkur për një nismë të tillë u fol publikisht nga Thaçi e Vuçiq në Forumin e Alpabachut në Austri në gushtin e 2018-s.

Ideja e shumëkundërshtuar për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh që cilësohej e rrezikshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor konsiderohej se u varros në Samitin e Berlinit që u mbajt në fundprillin e vitit të kaluar, megjithatë deklarimet e fundit të Josep Borellit, vërtetojnë atë që disa analistë e kishin pohuar se ideja e shkëmbimit të territoreve “s’ka vdekur, por është endur si një fantazmë”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, më 5 maj 2020, ka thënë se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin nëse dëshirojnë të flasin edhe për korrigjimin e kufijve dhe se Bashkimi Evropian nuk mund t’u tregojë palëve se për çfarë duhet të bien dakord e për çfarë jo.

Spanjolli këto deklarata të ngjajshme me paraardhësen e tij, Federica Mogherini, i ka dhënë kur është pyetur nëse është kundër prekjes së kufijve siç është edhe Gjermania.

Por cili është aktualisht qëndrimi i Gjermanisë dhe Qeverisë Federale të cilën e drejton Angela Merkel lidhur me këto deklarata të Borellit rreth korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve Kosovë – Serbi?

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Qeveria Gjermane thonë se përkrahin vetëm atë zgjidhje, e cila i shërben stabilitetit të rajonit dhe që është në të mirën e të dy popujve.

Gjithashtu, nga Berlini zyrtar theksojnë se përkrahin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Qeveria Federale vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun për normalizim midis Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i shërbente popullsisë në të dy vendet dhe që do t’i kontribuonte stabilitetit të rajonit”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express në pyetjen nëse Gjermania dhe Merkeli kundërshtojnë idenë e korrigjimit të kufijve./mediafokus.info/