Gjest i madh: Zjarrfikësit shpëtojnë qenin e ngujuar në rrethojë me shufra hekuri (FOTO)
Zjarrfikësit e Gjilanit, në bashkëpunim me Policinë, kanë bërë një gjest të madh mbrëmjen e të mërkurës, raporton Mediafokus.info.
Ata i kanë shpëtuar jetën këtij qeni, i cili duket se në përpjekje për ta kapërcyer rrethojën e oborrit, kishte mbetur i ngujuar, me shufra hekuri të ngulura në trupin e tij.
Pas prerjes së shufrave nga ana e zjarrfikësve, ka intervenuar veterinari duke ia hequr shufrat nga trupi dhe duke ia qepur plagët.
Ky gjest i madh i zjarrfikësve dhe veterinarit është bërë në një shtëpi, në rrugën “Madeline Albriht”.
Komandanti i Njësisë të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Rabit Murselit, ka thënë për Mediafokus.info se suksesi në këtë intervenim ka ardhur pas bashkëpunimit të mirë mes institucioneve.
“Zjarrfikësit ndihmojnë edhe në këtë mënyrë. Profesion me 100 nën-profesione, do të thosha. Vetëm gjatë këtij viti kemi shpëtuar tetë kafshë të ngujuara në forma të ndryshme”, ka thënë Murseli./Mediafokus.info/



